
Nderim dhe mirënjohje për Prof. Menduh Dërgutin
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Menduh Dërgutit – një figurë e shquar e arsimit dhe e jetës publike shqiptare, një njeri i dijes dhe përkushtimit të rrallë, që me veprën dhe shembullin e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Shkodër dhe në mbarë vendin.
Profesor Menduhi ishte rektori i parë i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në një nga çastet më të rëndësishme të historisë sonë institucionale – kur Instituti i Lartë Pedagogjik mori statusin e Universitetit dhe kur, në kushtet e një shoqërie në transformim, ai udhëhoqi me maturi, dinjitet dhe vizion periudhën e parë pas rënies së regjimit komunist.
Me një profesionalizëm të palëkundur, me përkushtim të heshtur, por të fortë, ai ndërtoi themele të qëndrueshme për arsimin universitar, duke lënë pas një trashëgimi të vyer si studiues, pedagog, drejtues, autor tekstesh dhe redaktor shkencor.
Veç kontributit të tij në arsim e shkencë, Prof. Menduh Dërguti ishte gjithashtu deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura: 1991 – 1992 dhe 1992–1996, duke i shërbyer vendit me dinjitet edhe në një tjetër fushë të rëndësishme të jetës publike.
Profesor Menduhi do të kujtohet për thjeshtësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e tij të natyrshme. Për pasionin me të cilin fliste për historinë, për qetësinë me të cilën udhëhiqte dhe për ndikimin e ndjeshëm që pati në formimin e shumë brezave.
Në emër të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të dashur, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin e të punonin me të.
U prehsh në paqe, Profesor. Kujtimi dhe vepra juaj do të nderohen gjithmonë.
Rektori
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”