Ndahet nga jeta gazetari, publicisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar…

Ndahet nga jeta publicisti dhe shkrimtari Vasil Tabaku. Në lidhje me lajmin ka reaguar kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili theksoi se me emrin dhe zërin e Vasil Tabakut lidhen qindra emisione të drejtpërdrejta radiofonike e televizive të viteve 97-2001, në Radio “Kontakt” dhe TvATN1. Basha shkruan mes të tjerash se publicisti Tabaku kontribuoi jo vetëm në media, radio, televizion e shtyp të shkruar, por edhe në struktura drejtuese të organizatave që vetërregullojnë këtë sektor.

MESAZHI I BASHËS


Me hidhërim mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të publicistit dhe shkrimtarit Vasil Tabaku, një nga aktivistët më të mëdhenj në gazetarinë shqiptare të pas viteve ’90, kundër rikthimit të censurës dhe autocensurës. Me emrin dhe zërin e Vasil Tabakut lidhen qindra emisione të drejtpërdrejta radiofonike e televizive të viteve 97-2001, në Radio “Kontakt” dhe TvATN1, një shërbim i madh kombëtar kundër përpjekjeve të gjithanshme për vendosjen e medias nën kontrollin e pushtetit të ardhur me dh.u.në pas rebelimit të 97-s.

Ato emisione kishin vulën e Vasil Tabakut, kontributin e tij të pazëvendësueshëm dhe janë një leksion i përhershëm për brezat e rinj të gazetarisë në Shqipëri, se si duhet luftuar konformizmi në profesion dhe se si duhet të ruhet misioni i fjalës së lirë.

Publicisti Vasil Tabaku kontribuoi jo vetëm në media, radio, televizion e shtyp të shkruar, por edhe në struktura drejtuese të organizatave që vetërregullojnë këtë sektor, duke përmbushur kështu misionin e shenjtë të cilit ai i qendroi besnik deri në fund, megjithë privimet shëndetësore që pati.

Vasil Tabaku u largua shpejt prej nesh, duke lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm, jo vetëm në komunitetin e medias, por edhe tek lexuesit e shumtë të poezive, eseve e romaneve të tij. Por shembulli i tij i rreshtimit të fortë publik kundër censurës dhe vargonjve që pushteti synon pandërprerë t’i hedhë medias së lirë janë një trashëgimi e vyer se asnjëherë s’është shumë e s’është tepër për t’u renditur tek ithtarët e fjalës së lirë dhe jo tek puthadorët e pushtetit të radhës.

Unë dhe gjithë anëtarësia e kryeqytetit e Partisë Demokratike, ku Vasil Tabaku militoi për shumë vite, i gjendemi pranë familjes në këtë moment dhimbjeje të pafund dhe lutemi që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media