“Na lanë jashtë garës për titull…”, mbrojtësi kuqeblu Esin Hakaj shfryn ndaj arbitrave…

Esin Hakaj deklaron me bindje se Vllazninë këtë sezon e lanë jashtë garës për titull gabimet e arbitrave. Mbrojtësi i majtë pranon edhe faktin se janë lënë disa pikë për shkak të paraqitjes jo të mirë të skuadrës, por duke iu referuar edhe asaj që ndodhi në ndeshjen e fundit me Teutën, shkodrani mendon se tashmë Vllaznia duhet të jetë e përgatitur për një situatë të tillë edhe në vazhdim.

Në intervistën për “Panorama Sport”, titullari i kuqebluve foli edhe për ndeshjen e së shtunës me Partizanin në “Loro Boriçi”. Sipas tij, ky takim do të jetë ndryshe nga i Kupës, edhe pse vlerësohet si një finale.


Esin, një barazim mes polemikash në Durrës. Ju pengoi gjykimi apo mendoni ndryshe?

Të vjen keq që jemi sërish ne ata që viktimizohemi. Bëjmë gjithë atë ndeshje dhe i shkojmë pranë fitores, por të tjerët ta hedhin në kosh pa asnjë problem. Me sa duket, ndaj nesh vazhdon e njëjta situatë si në javët e kaluara. Disa pikë i kemi lënë vetë, ndërsa shumë të tjera janë totalisht prej gjykimit. Tani në vend që të konkurronim për titull, duhet të luftojmë për dy vendet e tjera. Ndaj Teutës ne bëmë një ndeshje të mirë dhe meritonim maksimumin, por na ndëshkuan sërish.

U bëtë gjashtë ndeshje në kampionat që nuk fitoni, pse vuan kaq shumë ekipi për të mbajtur avantazhin dhe më pas e pëson?

Nëse i referohemi ndeshjes së fundit, ne ishim duke u mbrojtur në më të mirën e mundshme. Nuk lamë asnjë hapësirë për Teutën që të na ndëshkonte. Ai pozicion jashtë loje ndikoi direkt në rezultat. Nuk është se gabuam ne dhe na ndëshkuan.

E shikoni të vështirë arritjen e Europës përmes kampionatit?

Ne tani jemi të përgatitur për këtë gjë, pasi duhet të sfidojmë edhe gabimet arbitrare. Gjithsesi, të japim më të mirën tonë dhe të arrijmë atë që duam. Personalisht kam besim se do të sigurojmë edhe përmes kampionatit një vend që të çon në Europë.

Një tjetër ndeshje të shtunën për vendin e katërt përballë Partizanit, sa ndryshon me atë të mesjavës për Kupë?

Do të jetë një tjetër ndeshje e vështirë. Është ndryshe nga ajo e Kupës. Megjithatë, për ne është finale dhe të tillë do ta konsiderojmë. Jam i bindur se edhe këtë herë do t’ia dalim me sukses.

Vllaznia duket se ia ka marrë dorën Partizanit, ku ju keni qenë pjesë edhe sezonin e kaluar…

Normalisht që po. Ne jemi të vendosur për të arritur një tjetër fitore, por të njëjtën gjë besoj do të kërkojë edhe Partizani. Statistikat nuk besoj se kanë vlerë në këto takime. Do të luftojmë për 3 pikë, sepse jemi në stadiumin tonë para tifozëve. E dimë të gjithë që fitorja na ofron më shumë me objektivin.

Fakti që deri në fund të kampionatit do të luani më shumë ndeshje në Shkodër, a mund të themi se është ky një favor?

Ne duhet t’i marrim takimet sipas radhës. Nuk ka më ekipe të dobëta apo takime të lehta. Në fushën tonë të gjitha ekipet luajnë pa problem. Prandaj, nuk duhet ta shikojmë këtë aspekt, por t’i vlerësojmë të gjitha ndeshjet. Tifozët janë një mbështetje e fortë për ne dhe në këto takime duhet të na mbështesin. Së bashku do t’ia dalim të arrijmë atë objektiv që tani kemi, fitimin e Kupës dhe sigurimin e një vendi në Kupat e Europës përmes kampionatit.