“Na kanë hyrë në hak edhe arbitrat”, kapiteni kuqeblu analizon sezonin: Pa frikë, mbijetojmë në Superligë…

Vllaznia nuk e shmangu dot “play out”-in dhe zyrtarisht do i duhet që të diskutojë qëndrimin në Kategorisë Superiore me fituesen e çiftit Besëlidhja-Pogradeci (përballje që luhet nesër në “Elbasan Arena”. Gilman Lika e pranon që kjo ndeshje ka sikletet e veta, por vend për frikë nuk ka.

Në një intervistë të dhënë enkas për gazetarin Admir URUÇI, kapiteni kuqeblu s’ka asnjë preferencë për kundërshtarin, por vetëm një mesazh për shokët e ekipit. Ai pret që gjithsecili të japë maksimumin në fushë dhe të bëjë detyrën, duke siguruar fitoren dhe rrjedhimisht shpëtimin. As që e kishte menduar që këtë vit do të ishin në të tilla pozita, por e ka të qartë se asgjë nuk mund të zhbëhet tashmë. Mesfushori analizoi edhe humbjen e fundit, ndërsa “troç” e thotë që shkodranët ia falën dy golat e parë Partizanit.


Vllaznia që po bënte lojëra të mira, u mund 3-0 nga Partizani. Çfarë ndikoi te kjo humbje?

Ekipi luajti mirë, madje gjatë pjesës së parë krijuam raste dhe ishim shumë më të rrezikshëm se kundërshtari. Mendoj se ia falëm dy golat e parë Partizanit dhe aty mbaroi edhe ndeshja.

Një sezon i nisur me synime të mëdha u mbyll në zonën e rrezikut. E mendonit që ky ekip do të ishte sërish në këto pozita?

E kam thënë edhe më herët, ky ishte ekipi më i mirë i këtyre viteve të fundit. Pa dashur të përsëris edhe veten, por më duhet ta theksoj: Na kanë hyrë në hak edhe arbitrat. Nuk do ishim në këto pozita po të na ishte dhënë e drejta jonë gjatë gjithë sezonit.

Sa frikë shkakton kjo përballje “play out”-i te Vllaznia?

Nuk mund të them frikë, por sigurisht që është ndeshje me siklet. Gjithsecili e ka për detyrë të japë maksimumin dhe ta mbyllë pa probleme këtë vit. Është vetmja gjë që na ka mbetur të bëjmë tashmë.

Nesër në “Elbasan Arena” do të mësoni edhe kundërshtarin e kësaj ndeshjeje shtesë. Mes Besëlidhjes dhe Pogradecit cilën do preferonte Lika të kishte përballë?

Të jem i sinqertë, nuk kam ndonjë preferencë. Thjesht jam në merak për ekipin tim, pasi dua që të jetë i qetë në atë ndeshje dhe të japë maksimumin për të realizuar objektivin.

A ju favorizon fakti që do të prisni në Shkodër kundërshtarin?

Nuk mund ta quaj favor, edhe pse luajmë në fushën tonë. Në fund të fundit pandemia ka bërë që të mos kemi tifozë në stadium, ndaj diferenca nuk ka. Nuk jemi ekip për këtë pozicion, gjithsesi ajo që ndodhi nuk kthehet më pas. Tashmë çdo lojtar e ka detyrë që të përqendrohet e të bëjë detyrën në këtë ndeshje shtesë, që përcakton edhe të ardhmen e Vllaznisë në elitë. /Intervistoi: Admir URUÇI/

 ABCOM ║ VODAFONE