“Na interesojnë tre pikët…”, Ardit Krymi para ndeshjes me Teutën: Nuk na intereson ‘të marrim hak’…

Ardit Krymi nuk e ka fshehur kënaqësinë e asaj fitoreje të arritur ndaj ekipit të Laçit në transfertë. Një start i mbarë i sezonit për kuqeblutë, e cila sipas futbollistit nuk ishte aspak një rastësi.

Sipas mesfushorit të Vllaznisë për “Panorama Sport” u shpreh se skuadra ishte përgatitur për një gjë të tillë dhe me çfarë u tregua në fushën e lojës ishte diçka e merituar.

Ne e kishim përgatitur takimin për të marrë më të mirën. Pavarësisht se si mund të ishte rezultati i atij takimi, mund të them pa asnjë hezitim se ne e merituam atë fitore. Ne bëmë më shumë se kundërshtari dhe e merituam plotësisht atë që morëm. Normale që e prisnim edhe një rezultat të tillë”, u shpreh fillimisht Krymi.

Në shtatë vitet e fundit, fitoret në Laç ishin kthyer në tabu. Madje një gjë e tillë mund të thuhej edhe për barazimet. Për këtë arritje mesfushori Krymi thekson: “Laçi ka treguar se në fushën e vet është një skuadër e fortë. Madje forcën e vet e tregoi edhe në Europë duke arritur deri në turin e tretë kualifikues të Konferencë Ligës.

Skuadra e Laçit është tejet solide dhe e mirë, prandaj një fitore ndaj saj nuk është thjeshtë thyerje tabuje, por edhe tregues që ne jemi një skuadër e cila këtë sezon luan me ambicien për të shkuar vetëm lart. Kaluam një kundërshtar shumë të fortë në ndeshjen e parë”.

Vllaznia në këtë fundjavë do të luajë përballë kampionëve në fuqi të vendit. Teuta që e mundi në superkupë do të jetë rivali i radhës me të cilin kuqeblutë do të tentojnë të ruajnë serinë pozitive të rezultateve. I pyetur nëse pas asaj humbjeje në superkupë, kjo do të jetë një sfidë në të cilën kuqeblutë do të kërkojnë apo jo revansh, Krymi jep përshtypjen e tij rreth saj.

“Ne do të kërkojmë vetëm 3 pikët. Vllaznia nuk luan për hakmarrje, por për të fituar në çdo takim. Teuta është një rival direkt dhe ne duhet të bëjmë më të mirën për të fituar ndaj tij. Ne do të kërkojmë të japim më të mirën për të marrë maksimumin”, ka vijuar fjalën e tij për gazetën mesfushori.

Këtë sezon duket se Vllaznia ka objektiva të qarta. Titulli dhe Kupa janë në fokusin kuqeblu. Në fund të deklaratës së tij, mesfushori Ardit Krymi i pyetur për objektivat nuk fshihet për atë se çfarë do të synojnë kuqeblutë:

“Ne jemi ende herët për të folur, por objektivi ynë në këtë sezon është të kërkojmë maksimumin. Ne do të kërkojmë titullin dhe Kupën, por sezoni është i gjatë dhe gjithçka mund të jetë e pranishme”, ka përfunduar Krymi.

ShkodraWeb Channel