
Ditën e sotme, në mjediset e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, është zhvilluar një takim me praninë edhe të kryeministrit Rama. Lajmi është bërë publik nga Ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, njëkohësisht kryetare e PS- së për Qarkun Shkodër, e cila përveç fotove të takimit, ka publikuar edhe komentin e saj.

“Zemra mal 😍 Kryetari i Partisë Socialiste 🌹 në Shkodër me bërthamën e rinisë.
Gjatë këtyre muajve kemi zbuluar thesare 💎 në qarkun Shkodër, të rinj e të reja të shkëlqyer, që motivojmë, frymëzojnë me modelin që përfaqësojnë. Të rinj që jo vetëm familja i ka krenari por edhe shoqëria.
Të rinj ekselentë, aktivistë, vullnetarë, në biznes, punonjës administrate shembullorë, studentë dhe shumëdimensional. Këto janë të parët që i janë përgjigjur mesazhit të hapjes së partisë.
Dyert vazhdojnë të jenë të hapura për modelet e punës, aktivizmit dhe që besojnë e punojnë për një Shkodër më të mirë. Sot hapet kapitulli i ri, kapitull të cilin e udhëheq rinia!
Sot kur themi që jemi me Partinë Socialiste në Shkodër e themi me gojën plot duke parë që kemi shokë e shoqe që përfaqësojnë vlera mbi vlera. Prap duam të përmirësohemi, prap jemi gjithë sy e veshë hapur për kritikët konstruktiv, eja, bashkohu.”., shkruan Bilali.

Nuk ka vonuar as reagimi nga Emilia Koliqi, deputete e PD- së Shkodër. Në një postim në Facebook, Koliqi nënvizon se muzeu është përdorur për aktivitet politik. Në publikimin e saj, deputetja e Shkodrës shkruan:
“Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” nuk mund të përdoret për mbledhje partie, qoftë ajo edhe në pushtet! Një pasuri e rrallë kulturore e historike, krenari për çdo shkodran e shqiptar, është përdorur sot nga kryeministri për një aktivitet politik. Postimi i fotove dhe i përshkrimit të aktivitetit, e tregon qartë shfrytëzimin për qëllime politike të këtij visari të çmuar, i cili na përafron në “artin e shtatë” me Europën.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” nuk mund të përdoret nga asnjë parti politike, as e majtë e as e djathtë, as në pushtet e as në opozitë. Nuk kishte ndodhur asnjëherë deri sot por në këtë qeverisje, mund të pritet çdo gjë. Kryeministri po sillet si pronar i çdo institucioni, pavarësisht rëndësisë e peshës kulturore, historike apo të trashëgimisë tonë kombëtare që ai mbart.”, përfundon publikimin e saj Koliqi. /ShkodraWeb/




