Trajneri i Vllaznisë Hysen Dedja u shfaq mjaft i zhgënjyer në përfundim të ndeshjes me Tiranën, si për gabimin e arbitrit Jorgji, ashtu edhe për sjelljen e lojtarëve të tij, të cilët i akuzoi për shthurje në fushë dhe mungesë dëshire për të reaguar.
E nisët mirë ndeshjen, por ato dy gola ju penalizuan. Çfarë nuk funksionoi në sfidën e sotme?
Të them të drejtën e kisha përgatitur ndeshjen për të pritur Tiranën në mesfushë dhe ta kapja në befasi. Në momente të veçanta mund ta bënim këtë, por në skuadër kemi mungesë përqendrimi dhe përgjegjësie shumë të madhe. Gligorov shkon nga e majta për të gjuajtur kornen në të djathtë, ndërkohë që këtë unë ia kisha kërkuar Gilman Likës.
Morëm golin e për në një rast të mirë tonin, ndërsa më pas goli i dytë ishte banal, me një dalje huq në 30 metra larg portës dhe aty mbaroi gjithçka. U mundova shumë të ndryshoj diçka në pjesë ne dytë, por nuk pashë as një farë reagimi dhe dëshire te lojtarët, që vetëm ecnin në fushë.
Sa ka ndikuar edhe rreshtimi që përdorët sot, pra 4-3-3?
Nuk ishim duke luajtur me 4-3-3, por me 4-5-1 në fazën kur prisnim kundërshtarin dhe me shpresën për të dalë shpejt në krah e për të kapur në befasi kundërshtarin. Unë nuk kam çfarë t’i ndryshoj më kësaj skuadre, ndonëse do të pres të qetësohem dhe të rishikoj sërish ndeshjen, për të parë çfarë mund të bëjmë. Kemi edhe 6 javë, por duket e vështirë të ndryshosh gjëra të mëdha.
Çfarë komenti keni për penalltinë?
Është e habitshme sesi Jorgji nuk akordon atë penallti, pasi ishte dorë e pastër dhe fiks para syve të arbitrit.
Çfarë ndodh me Sherrin, që rri në stol dhe në vend të tij luan një portier maqedonas?
Po të shikosh ndeshjet pas pandemisë, kemi pësuar shumë gola dhe do të ndërhyj në portë, por edhe në reparte të tjera. Unë do të mundohem t’u iki këtyre lojtarëve që ecin nëpër fushë, ndonëse do ta mendoj edhe njëherë me qetësi. /SuperSport/