Kolegji Zgjedhor do të shpërndajë mandatet për 20 bashkitë e para të vendit, pasi ky vendim nuk u mor dot nga organi kompetent, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për arsye të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm. Ky ngërç procedurial vjen si pasojë e kundërshtimit të kreut të KQZ-së, Klement Zgurit, për të rënë ndesh me vendimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Një nga anëtarët e KQZ-së, Bledar Skënderi, ka shpjeguar se për të njëjtin shkak, një precodurë e tillë është ndjekur edhe në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, kur Kolegji Zgjedhor çertifikoi mandatet. “Është një procedurë që është ndjekur edhe në vitin 2013-ë, kur KQZ ka pasur vetëm katër anëtarë dhe për shkak se nuk bëhej kuorumi për të arritur një vendimmarrje, Kolegji ka shpërndarë mandatet për të gjithë deputetët e Shqipërisë. Në rastin konkret jemi në zgjedhjet lokale, por është sërish e njëjta procedurë.”- është shprehur Skënderi për mediat.
Mësohet se KQZ-ja do të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në fundi të muajit korrik. “Pasi të bëhet shpërndarja e mandateve nga Kolegji, në fund fare nxjerrin rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Besoj se ditët e fundit të korrikut do të jetë marrë ky vendim nga KQZ”, tha Skënderi.