Sapo i shpëtuan tmerrit që i kishte mbajtur të bllokuar në një shpellë për më shumë se dy javë, por mesa duket vuajtjet e 12 djemve në Tajlandë nuk paskan të sosur.
Mjekët druhen se të 12 djemtë dhe trajneri i tyre mund të rrezikohen nga ajo që quhet “sëmundja e shpellës”.
Doktor Petrina Craine, një mjek i emergjencës mjekësore në Oakland të Kalifornisë, paralajmëroi se infeksioni i mushkërive mund të shkaktojë vdekjen djemve dhe trajnerit.
Katër prej djemve të shpëtuar tashmë janë duke u ndeshur me infeksione të mushkërive, por asnjë deri më tani nuk ka treguar shenja të etheve – konsideruar si shenjë dalluese e speleonozës ose “sëmundja e shpellës”.
Ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se djemtë ndoshta nuk do jënë më kurrë në gjendje të notojnë, të qëndrojnë në errësirë apo dhoma me dyer të mbyllura.
Ngjarja ka ndodhur më 23 qershor në kompleksin e shpellës në rajonin Chiang Rai, në veri të Tajlandës.
12 fëmijët u futën në shpellë në kohë me diell, por për fatin e tyre të keq atë ditë nisën shira të rrëmbyeshme dhe ata mbetën të bllokuar për 9 ditë derisa u lokalizuan se ku ishin./joq/