“Mund të bëhet CR7 i Irlandës”, Roko po shkëlqen me përfaqësuesen, Rudi Vata: Kush më quan tradhtar të…

Roko Vata po shkëlqen me Irlandën U17 dhe duket plotësisht i përfshirë në projektin e kësaj përfaqësueseje e cila falë golave të tij dhe dy shqiptarëve të tjerë që ka në radhët e ekipit, ka siguruar lehtësisht kualifikimin në raundin e dytë të turneut.

Një situatë për të cilën shumëkush ka kritikuar Rudi Vatën se pse nuk ka sjellë djalin e tij të veshë fanellën kuqezi. Por në një intervistë për “Independent”, Vata ka shpjeguar se e vërteta është që askush ende nuk e ka kontaktuar për Rokon, ndërsa Irlanda po i tregonte respektin që meritonte një futbollisti me cilësitë e tij.

“Kam bërë aq shumë për vendin tim, kam ndërtuar reputacionin tim në shumë vende të ndryshme si një njeri i mirë. Unë përfaqësoj vendin tim me krenari dhe dinjitet dhe asnjëherë nuk e kam tradhtuar, por ka njerëz të cilët e kanë tradhtuar Shqipërinë, të cilët kanë mashtruar ekipin kombëtar, të cilët e dashuronin korrupsionin, por kur shohin situatën e djalit tim. ata më quajnë tradhtar.

Ata janë njerëz mendjevegjël, njerëz që shiten lirë, të cilët nuk kanë ende liri mendimi, ata janë pjesë e një sistemi të korruptuar dhe nuk e duan lirinë që unë dëshiroja apo lirinë që djali im të vendosë për ekipin kombëtar”, tha fillimisht Vata.


“Unë e dua vendin tim me gjithë zemrën por Roko zgjodhi të luajë për Irlandën pasi ajo ishte e para që e kërkoi. Ata e mirëpritën, e trajtuan si të ishte pjesë e tyre, iu shfaq një mundësi nga Irlanda dhe është shumë i lumtur.

Unë kam ardhur nga një diktaturë, në Shqipëri, pjesa më e madhe e njerëzve nuk mund të zgjidhte të thoshte atë që dëshironin, dhe kjo është arsyeja pse unë u largova nga vendi im. Unë dëshiroja të isha i lirë si qenie njerëzore, të zgjidhja të bëja atë që dëshiroja të bëja.

Në Shqipëri ka ende njerëz që nuk janë të lirë dhe askush nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk më ka kontaktuar që të flasim për Rokon. Të gjithë ata që më quajnë tradhtar duhet të qëndrojnë para pasqyrës dhe të pyesin veten se çfarë kanë bërë për vendin e tyre. Unë e lashë vendim tim mbi 30 vite më parë, punova shumë që të përfaqësoja vendin tim me dinjitet. Nuk kam qenë futbollisti më i mirë në botë, por sjellja ime ka qenë gjithmonë që të punoj shumë, dhe unë ia them këtë Rokos, që të punojë shumë dhe të vlerësojë dhuratën që i ka dhënë Zoti. Zoti të jep aftësinë për një arsye, pasi ai ka një plan për ty. Zoti i jep çdo fëmije një aftësi të veçantë, por Roko ka aftësi që jo shumë fëmijë kanë dhe ai duhet ta vlerësojë këtë dhe të falënderojë Zotin ditë dhe natë, por të punojë shumë. Fati nuk të vjen duke mos bërë asgjë.

Njerëzit kanë gjakun e prindërve të tyre në gjakun e tyre, por ata gjithashtu mund të luajnë për vendin ku janë lindur dhe ishte e bukur të shihje tre shqiptarë të përfaqësonin Irlandën. Irlanda ka mirëpritur njerëzit me krahë të hapur dhe i trajton njerëzit si të jenë pjesë e saj.

Çdo herë që ai merr ftesën ai pret me padurim që të takojë miqtë e tij ne ekipin e Irlandës, stafin teknik dhe njerëzit që përkujdesen për të. Federata Irlandeze ka qenë shumë e kujdesshme dhe shumë profesionale dhe mendoj se si fëmijë ai e sheh një gjë të tillë.

Nëse mund të bënim një plan për Rokon, nuk mund të ishte më i mirë se sa është tani dhe eksperienca me ekipin e parë i kanë dhënë një shtysë. Ata nuk po e ftojnë që të më bëjnë nder mua meqë kam luajtur dikur me Sëlltikun. Nuk kam kërkuar asnjëherë një favor për djalin tim, ara e trajtojnë në mënyrë profesionale, ai ka bërë punën më të madhe vetë. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë ta këshilloj dhe ti tregoj rrugëtimin e duhur për të ardhmen, ku mund të shkojë dhe çfarë mund të arrijë, por gjithashtu edhe ti tregojë sa e vështirë mund të jetë.

Ai është një djalë i mbarë, por e ka seriozisht edhe dëshirën për t’u bërë futbollist dhe kjo periudhë është delikate. Ne duhet të sigurohemi që është në vendin e duhur, i rrethuar nga njerëzit e duhur. Nëse ia del me skuadrën e parë të Sëlltikut, ai do të jetë i lumtur, por gjithashtu ai ka shumë për të bërë, duhet të përmirësohet, të mbetet i përulur. Ai duhet të flejë shumë, të hajë dhe pijë futboll.

Ka një rrugë për të shkuar në maje, nëse do të shkojë në majë ai ka çdo përbërës të duhur për ta bërë dhe shembulli më i mirë i punës është Ronaldo. Unë shpresoj që Roko të jetë i përkushtuar sa Ronaldo. Do të doja që çdo futbollist të shohë atë që ka bërë Ronaldo dhe të ecë në hapat e tij.

Të shohësh si Ronaldo udhëheq vendin e tij, njerëzit e respektojnë. Unë i kam thënë se ai mund të bëhet Ronaldo i radhës për Irlandën, të jetë në Botëror apo Eurpian me Irlandën dhe të gjithë vendin që e mbështet. Por e ka në dorë ai ta fitojë atë status, dhe këtë mund ta fitojë vetëm duke treguar përkushtim dhe sa profesionist është.

Përse të mos mendosh që mund të arrish në majë dhe të jesh Ronaldo apo Mesi i ardhshëm? Nëse ke ingredientët e duhura dhe cilësinë, nëse punon shumë dhe ke sjelljen e duhur, mund të bëhesh Ronaldo i ardhshëm. Nuk mendoj se Ronaldo kishte cilësi më të mira se Roko kur ishte në këtë moshë. Ai po tregon se ka gjithçka që duhet për t’u bërë, por mbetet për t’u parë nëse do të vazhdojë të punojë shumë dhe të dëgjojë. Ai është ende një djalosh dhe duhet të punojë shumë që ta mbajmë me këmbë në tokë, të sigurohemi që ai është në vendin e duhur.

Nëse ai kujdeset për trupin e tij, stërvitet mirë dhe bën gjëra të duhura, ai mund të bëhet Ronaldo i radhës i Irlandës”, tha Vata në intervistën e tij të gjatë.

Open

Close