Mbledhja e Mukjes u mbajt prej 1-3 gusht 1943. Aty morën pjesë 12 përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar dhe 12 përfaqësues të Ballit Kombëtar. Pas shumë diskutimesh dhe lëshimesh të dyanshme, u arrit marrëveshja për luftë të përbashkët dhe të menjëhershme kudër pushtuesit përkrah aleatëve të mëdhenj. Gjithashtu, u krijua edhe Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë si një organ i përbashkët i drejtimit të luftës që përbëhej nga 6 përfaqësues nga secila palë. Në programin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë parashikohej, jo vetëm lufta për një Shqipëri të pavarur e të lirë, por edhe lufta për një Shqipëri etnike. Kjo kërkesë dhe marrëveshje për bashkëpunim me Ballin Kombëtar nuk u pëlqeu të dërguarve jugosllavë dhe Enver Hoxhës, që zbatonte këshillat e tyre. Prandaj, marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Ky qëndrim i Partisë Komuniste i përçau shqiptarët dhe i nxiti luftën kundër njëri-tjetrit.
Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për tu përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike.
Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.
Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. /Nga Albert VATAJ/