Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nga protesta e banorëve të Unazës së Re i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për projektin që ajo e konsideron të paligjshëm.
Teksa qëndron përkrah banorëve, Kryemadhi thekson se me projektin për Unazën e Re, Rama po përdor dy standarde. Ajo i beri thirrje Rames qe mos t’i afrohet banesave të qytetarëve.
“Projekti për të cilin Edi Rama kërkon të bëjë mbi Unazën e Re është një projekt që vjedh përmes e shqiptarëve edhe tregon se është i papërgjegjshëm dhe kriminal. Këtu kam një hartë, dhe këtu duket vija e kuqe, ku tregohet se ka mbaruar rruga (shpjegon hartën). Këtu s’ka as ishull, e as rrugë. Pranë vijës së kuqe është një pronë, që është e Damian Gjiknurit, si ministër them. Pronat e shqiptarëve nuk i konsiderojnë gjë. rruga spostohet nga hallexhinjtë. Njëri standard është se Rama ble me paratë e drogës, dhe standardi tjetër që i nxjerr njerëzit jashtë. Duhet ta kuptojë shumë mirë ai se shqiptarët e toleruan me votën. I bëj atij thirrje (Ramës) dhe Afrim Qëndros dhe tre kompanive, që janë të lidhura me krimin, që mos t’u afrohet banesave të qytetarëve. I bëj thirrje Salillarit, që mos u ngopte inshalla, se i mori të gjithë projektet. Sot nuk ka drejtësi, që të çon në prokurori gra dhe fëmijë”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI gjithashtu tha se nuk mund t’i prishet shtëpia dikujt që ka paguar taksat për 20 vite dhe se Rama zgjodhi dimrin pasi nata më e gjatë , dita më e shkurtër.
“Nuk tolerohet shtëpia e biznesi i fukarenjve, nuk është se jemi kundër rrugës, por jo t’u prishen këtyre, se këta njerëz ka 20 e ca vite që paguajnë taksa, kanë paguar drita e ujë edhe pse s’kanë pasur.
Nuk jam thjeshtë këtu si kryetare e një partie, por kam qenë dhe banore dhe ish-deputete në këtë zonë.
Para 2 muajsh Rama mori vendim për të prishur teatrin, tani vjen këtu për t’u prish shtëpinë disa njerëzve, që nuk kanë fuqi t’i bëjnë ballë këtij pushteti.
Një njeriu që nuk i vjen keq për fëmijën e vet, mos kujtoni se i vjen keq për fëmijët e shqiptarëve. Ky projekt është shumë i mirë, por është mashtrim. Të bëjë rrethrrotullimin e famshëm atje, pastaj ta zgjerojë rrugën këtej. Pse e nis në mes të dimrit, është strategjia, se nata më e gjatë , dita më e shkurtër,” u shpreh Kryemadhi.
Ka ekzistuar ky projekt kur ishit deputete?
“Kur isha këtu, po ka ekzistuar projekti por jo me 20 e ca metra më shumë. Në të gjithë këtë histori, është mashtrim për t’i sakatuar njerëzit”, tha ajo.