“Moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët e zgjedhjeve”, opozita propozim për mbrojtjen e Kolegjit nga presionet

Opozita propozon moratorium 4 vjeçar nga vetingu për gjyqtarët e zgjedhjeve. Mësohet se opozita ka paraqitur një draft ligjor, që synon zbatimin e rekomandimit prioritar të ODIHR-it për këtë çështje, duke nxjerrë jashtë presionit të vetingut gjykatën që do të vendosë për ankesat e procesit.


Propozimi do te paraqitet sot ne takimin e grupit politik te reformës zgjedhore, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Kujtojme se ODIHR deklaroi se Kolegji Zgjedhor ishte nën presionin e vetingut dhe për këtë shkak nga 8 anëtarë, ai mori vendime me 6 anëtarë.

Gjithashtu, ODIHR vë në dukje se, për shkak të vetingut, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale dhe nuk mundi të shqyrtojë çështje të karakterit kushtetues në raport me zgjedhjet. Për këto arsye, ODIHR bëri rekomandimin prioritar, i cili kërkon që reforma zgjedhore të garantojë një gjykatë funksionale dhe të pavarur në procesin zgjedhor.

Opozita pranon se e ben propozimin per moratorium pikerisht në zbatim të ketij rekomandimi.

“Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më veting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rendësishëm për zgjedhjet”- thone burimet.

PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve. Sipas llogarive të opozitës, moratoriumi prek një numër të papërfillshëm të gjyqtarëve 2-4 përqind të tyre, në varësi të numrit të anëtarëve të kësaj trupe 8 ose 15.

Aktualisht, Kolegji Zgjedhor krijojet nga gjyqtarë të Apelit, por duke qenë se ata janë në veting prioritar, pra në presion të vazhdueshëm, sipas ODIHR-it, Partia Demokratike propozon zgjerimin e bazës së gjyqtarëve edhe në shkallën e parë. Përveç përmbushjes së disa kritereve të integritetit profesional, ata duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë pune, që është kriter barazues me gjyqtarët e apelit.