“Moment për të dëshmuar në paqe, dinjitet në marrëdhënie me veten dhe me Zotin”, mesazhi i Myftiut të Shkodrës për Kurban Bajram

Të dashur dhe të shtrenjtë besimtarë,

​Sot është dita e Arefatit. Më e mira ditëve, të cilën, All-llahu i Madhëruar e bëri moment reflektimi dhe adhurimi, hapësirë lutjesh dhe agjërimi, mundësi afrimi dhe pendimi, rrugëtim drejt mëshirës dhe faljes së Tij, me të cilat i gëzon robët e Tij që kërkojnë pëlqimin dhe bekimet e Zotit në jetë!


​Sot është dita e Arefatit, në fushën e së cilës, haxhilerët mblidhen për të kaluar momentet më të rëndësishme të Haxhit të çdo viti, por edhe përtej tyre, mbarë njerëzimi mbulohet në këtë ditë me mëshirë e mundësi për të gjetur vetveten para duarve të Krijuesit të gjithësisë!

​Dita e Arefatit, që i paraprin Kurban Bajramit, është dita në të cilën, Zoti i gjithësisë i shpalli Hazreti Muhammedit (a.s.) dëshminë e përbotshme: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fé” – (El-Maide: 3)

​Pra, në këtë ditë, krejt bota islame është e ftuar për t’u kthyer tek origjina e lavdisë dhe krenarisë, organizimit dhe unitetit, bashkëpunimit dhe shtrirjes së dorës së vëllazërisë së shenjtë të këtij Islami të pastër e të plotësuar, për të dëshmuar së bashku madhështinë e thirrjes hyjnore: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo send. Atë (Mëshirën) do ta caktoj për ata, të cilët u ruhen mëkateve…” – (El-Arafë: 156)

​Ky është momenti që të gjithë pasuesit e kibles së teuhidit, ndjekësit e mësimeve të Hz. Muhammedit (a.s.) dhe krejt ata që besojnë në madhështinë e mesazheve të Kur’anit, të gjuajnë me mosbindje shejtanët, që prej kohësh e kanë shkatërruar jetën mbi tokë dhe akoma vazhdojnë, të hedhin pas krahëve hutimin dhe devijimin, të rizgjohen dhe të kapen pas karvanit të rimëkëmbjes së madhe, shkëlqimi i së cilës ka nisur të ndriçojë prej kohësh!

​Ky është momenti për të dëshmuar në paqe dhe plot dinjitet në marrëdhënie me veten dhe me Zotin, me tjetrin dhe me vetë jetën, krenarinë e përkatësisë sonë islame, duke punuar ditë pas dite për lartësimine Fjalës së All-llahut, duke u angazhuar për të përhapur mirësi e dritë, harmoni e vlera, dinjitet e respekt, me këdo prej krijesave të Zotit Një, si dëshmitarë të mrekullive të Tij, si pasues të Dritës së Tij, si besnikë të Shpalljeve të Tij, me të cilat na nxori nga errësirat në dritë!

​Me zemër të mirë e begati Kurban Bajramin!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 30 korrik 2020

 ABCOM ║ VODAFONE