Nga data 11- 15 dhjetor 2024, në Shkodër u zhvillua Festivali Mbarëkombëtar i Humorit. I konsideruar nga të gjithë si “babai i teksteve të estradave”, nuk mungoi në sallë as edhe homazhi mëse i merituar për të madhin Paulin Selimi. Është fakt i pakundërshtueshëm se me vdekjen e tij të parakohshme, humori po lëngon edhe për shkak të mungesës së tekstshkruesve të tij.
Fatmirësisht, Paulini ka lënë pas familjen, fëmijët e bashkëshorten. Duket e pabesueshme por askush nuk është kujtuar për një ftesë për ta në 5 ditët e eventit. Kjo mbase, as që do ishte marrë vesh nëse me shumë të drejtë, nuk do të kishte reaguar në rrjetet sociale djali i Paulinit, Eltoni.
Jam kurioz të di kujt i ka rreshqitë për të disatën herë, mungesa e ftesës për familjen e Paulin Selimit, në eventet e organizuara në lidhje me humorin shqiptar, në Shkodër.
Marr shkas të shpreh një keqardhje personale, pasi, pa dashë me marrë merita ma shumë se më takojnë, me emrin e babës tem, janë krenue dhe ma shumë se familja e tij.
S’dua të zgjatem ma shumë pasi asht e tepërt. Emri dhe krenaria e familjes time nuk janë objekt anashkalimi dhe zhvlerësimi nga disa individë kalimtarë dhe s’ka për të kenë kurrë e tillë.
Me respekt
Elton Paulin Selimi
Në fakt, ky reagim sjell në mendje edhe emra të tjerë gjigandë të humorit si Tano Banushi, Gjosho Vasija, Paulin Preka, Gëzim Kruja e shumë të tjerë që nuk po i përmendim dhe që fatmirësisht, kanë plot trashëgimtarë. Është respekt jo vetëm për ta por edhe për Shkodrën, e cila në konsiderohet “kryeqytet i pakontestueshëm i humorit”, është pikë së pari për meritë të këtyre “peshave të rënda” që ishin gur themeli i këtij zhanri në Shqipëri. E për ta mbyllur, pak ditë para startit të këtij eventi, u hoq nga ekspozimi në holle, fotografia e njërës prej drejtueseve më aktive dhe jetëgjata të teatrit “Migjeni”. Ky institucion nuk është, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë “zotërim” i drejtuesit të radhës. Edhe kur të ikin, teatri dhe humori do të vijojnë të jenë aty, bashkë me shpritrat e kollosëve që vazhdojnë të jetojnë brenda atyre mureve. /ShkodraWeb/