Doktor Elton Peçi mban në kokë kapelen e mjekut a thua sa ka dalë nga salla e operacionit, dhe me gjyslykët që i ulen diçka më poshtë se normalja, e sytë që i ndrisin jep lajmin e gëzueshëm.
“E more vesh? 62-vjeçarja lindi në Itali. Eshtë sukses i madh”, tregon doktori për newsbomb.al. Nuk e fsheh gëzimin doktori i obstetrisë-gjinekologjisë, që shërben prej vitesh, që kur u kthye nga jashtë, në Spitalin Amerikan të Tiranës. Si një mjek që sheh se puna e tij ka rezultuar e suksesshme me fertilizimin “In Vitro” në Tiranë, ai nuk mund të fshehë edhe dëshirën se do të kishte dashur që gjithë procesi të ndodhte në Shqipëri.
“Zonja preferoi të lindë në Itali, por gjithë procesi u ndoq këtu tek ne” thotë doktor Eltoni duke i gëzuar ardhjes në jetë të vajzës me peshë 3 kilogramë e 200 gramë në spitalin “San Giovanni” të Romës.
Rasti i pacientes italiane është ndjekur në Spitalin Amerikan nga ekipi i IVF i drejtuar nga Dr. Elton Peçi dhe embriologu Dr. Besfort Ferhati. Është thyer kështu rekordi i vitit 2013 i po këtij ekipi, kur u raportua lindja e parë e një femre në moshën 56 vjeçare pas një procedure IVF.