“Mjaft me lojra dhe letra në tabelë”, pas takimit të kryeministrit Rama në Shkodër, reagon PD: Të rinjtë nuk do e lënë të ardhmen në duart e tua

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Shkodrës në mjediset e gjimnazit “28 Nëntori”. Në qendër të vemendjes së këtij takimi ka qenë konsultimi publik me nxënësit dhe studentët e të gjithë Shqipërisë, për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Menjëherë pas takimit ka ardhur reagimi i Partisë Demokratike përmes deputetes së Shkodrës Greta Bardeli Gjoni, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PDSH. Përmes një publikimi në Facebook, të shoqëruar me një foto të saj me të rinj shkodranë, deputetja e Shkodrës shkruan:


“Platforma e Edi Ramës dhe pushtetit të tij të dështuar, për të rinjtë e Shkodrës është e provuar publikisht. Largim masiv i të rinjve jashtë vendit, emigracion dramatik!

LEXONI EDHE: VIDEO – “Do fuqizojmë mësimin mbi teknologjinë”, kryeministri Rama takim me gjimnazistë në Shkodër: E ardhmja nuk mund të jetë puna në shtet

Shkodra e di mirë, sepse e provon në shpinë me lot e brenga të nënave dhe baballarëve që nisin femijët në emigracion për shkak të papunësisë, korrupsionit që po i merr shpirtin shoqërisë, dhe mungesën e shpresës për të ardhmen!

Mjaft me lojra dhe letra në tabelë, të rinjtë nuk do e lënë të ardhmen në duart e tua të zhytura në llumin e korrupsionit dhe interesat kriminale që Shkodra i njeh mirë!”, përfundon reagimin e saj në Facebook deputetja Greta Bardeli Gjoni.