Mister fati i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ja çfarë thotë Fuga i Ramës për Ardi Veliun…

Drejtori i komunikimit të kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga i kontaktuar nga ABC, ka deklaruar se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu nuk është shkarkuar nga detyra. Ishte deputeti demokrat Luan Baçi, ai i cili në Komisionin për Sigurinë Kombëtare pyeti ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi nëse është shkarkuar nga detyra Veliu. Çuçi me nota ironike u shpreh se përgjigjen do ta merrte kur të ishte koha e duhur dhe se Ardi Veliut nuk i ishte fikur ende “kandili”.

Luan Baçi: A është shkarkuar Ardi Veliu?


Ministri Çuçi: Do e merrni vesh në kohën e duhur, kur t’i mbarojë kandili.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama rreth tre muaj më parë pas ngjarjeve të shumta kriminale në vend, vuri një afat prej 100 ditësh për strukturat e policisë duke thënë se brenda këtij afati ata duhet të vendosnin rendin dhe angazhimin maksimal.

“Keni 110 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin.

Duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha në atë kohë Kryeministri Edi Rama.