Miqësorja e parë e Vllaznisë, supergoli i Guirishtës dhe i goleadorit Çoba sjellin fitoren e parë…

Vllaznia i është kthyer përgatitjeve për edicionin e ri dhe si pjesë e tyre sot ka qenë edhe një miqësore e luajtur përballë Burrelit në “Loro Boriçi”. Një ndeshje në të cilën shkodranët kanë triumfuar me shifrat 2-1, ndërsa trajneri Brdariç ka marrë sinjalet që dëshironte nga një pjesë e atyre që mendon se do të jenë pikë fikse e ekipit për sezonin e ri.

Burreli në fakt vendosi në vështirësi shkodranët duke shënuar me anë të Eyom që në minutat e parë. Por kuqeblutë më pas barazuan me golin e shënuar nga Gurishta, i cili lëshoi një gjuajtje nga distanca duke gjetur të papërgatitur portierin kundërshtar.


Më pas, ishte goleadori i verës për shkodranët, Mehdi Çoba, ai i cili tundi rrjetën duke shënuar golin e përmbysjes pas një aksioni mjaft të mirë të kuqebluve. Një tjetër provë e mirë për 21-vjeçarin i cili mund të fitojë vende në hierarkinë e sulmit të skuadrës nëse vazhdon me këtë formë.

Shfirat nuk ndryshuan në pjesën e dytë ku u provuan edhe lojtarët e tjerë, mes të cilëve edhe emrat e afruar në provë te shkodranët gjatë këtyre ditëve, për të vendosur se kush prej tyre mund të firmosë për klubin kuqeblu i cili ka ambicie për trofe të tjerë në sezonin e ri, duke filluar nga Superkupa.

Vllaznia- Burreli 2-1

Gurishta 25′, Çoba 33′ / Eyom 9′