
Kuvendi i Shqipërisë çeli sot legjislaturën e re me seancën e parë plenare, ku u zhvillua verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, betimi i tyre dhe u hodhën hapat e parë drejt zgjedhjes së Kryetarit të ri të Kuvendit.
Gjatë seancës, kryetarja e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, Milva Ekonomi, bëri të ditur se pranë këtij komisioni janë depozituar dy shkresa për heqje dorë nga mandati i deputetit, konkretisht nga Tom Doshi dhe Sabina Jorgo.
Milva Ekonomi: Pranë komisionit janë depozituar edhe dy shkresa, për heqjen dorë nga mandati i deputetit të deputetit Tom Doshi dhe Sabina Jorgo. Kuvendi në këtë rast Kuvendi jo më vonë se 30 ditë njofton KQZ për krijimin e vakancës. Komisioni i Mandateve administroi listën emërore të deputetëve si dhe dy shkresat e depozituara. Në përfundim të këtij verifikimi rezulton se nuk u gjetën raste të pavlefshmërisë së mandateve.
Dy deputetët lirojnë po kaq vende në listën e qarkut Shkodër, ku pritet të marrin mandatin e deputetit Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku, dy më të votuarit nominalisht nga lista e PSD- së.




