Filloi me mbi 40 minuta vonesë për mungesë kuorumi minimal dhe përfundoi pas rreth 30 minutave nga nisja. Ishte ky fati i mbledhjes së rradhës së Këshillit Bashkiak në Shkodër ditën e sotme. Shkak ka qenë mungesa e dakordësisë në mes këshilltarëve socialistë për rendin e ditës. Nisur nga mungesa në mbledhje e titullarëve të Bashkisë Shkodër, këshilltari Lush Marku ka kërkuar që në rendin e ditës të diskutohen jo 8 pika por vetëm dy: Miratimi i antarit të ri të Këshillit Bashkiak dhe fondi 6% i ndihmës ekonomike. Nga ana e saj, kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadia, ka informuar se në sallë, janë përfaqësues të administratës që duhet të relatonin për materialet e paraqitura nga Bashkia Shkodër, por kjo nuk e ka bindur Markun të terheqë propozimin.
Më pas ka marrë fjalën këshilltari Arbis Vjerdha, i cili kërkoi që të diskutohet edhe miratimi i përjashtimit nga taksat i bisneseve për tre muaj për shkak të pandemisë. Propozimi i tij, u mbështet edhe nga disa keshilltarë socialistë. Ndërkohë, këshilltarja Nersada Mandija ka kërkuar të miratohet edhe projekt- vendimi për një donacion të UNICEF për Bashkinë e Shkodrës.
Sipas procedurës, kryetarja e Këshillit Bashkiak Brisela Kadia, ka hedhur në votim propozimin e këshilltarit Marku, i cili mori 18 vota nga 27 këshilltarë të pranishëm në sallë. Propozimi tjetër, për shqyrtimin e 4 pikave të rendit të ditës, mori vetëm 14 vota, duke u rrëzuar. Në këtë moment, sapo Kadia shpalli rezultatin e votimit, këshilltaret Nersada Mandija dhe Jona Leqejza u larguan në mënyrë demonstrative nga sallë, duke bërë që kuorumi të bjerë në 26, sa është minimumi për vazhdimin e mbledhjes. Kryetarja Kadia ka deklaruar mbylljen e mbledhjes pa miratuar asnjë vendim, duke thënë se mbledhja e rradhës do të njoftohet në ditët në vijim.
Kështu, mbeten pa ndihmë ekonomike familjet që prisnin atë përmes fondit 6% që e shpërndan Këshilli Bashkiak, nuk u miratua përjashtimi nga taksat për shkak të pandemisë i bisneseve, nuk u miratua donacioni nga UNICEF si dhe nuk u plotësua vakanca e vetë këtij institucioni. Arsyet e përçarjes së PS-së në Shkodër nuk janë të qarta, aq më shumë kur disponojnë të gjithë numrat e nevojshëm pas votimeve të 30 qershorit 2020. /ShkodraWeb Media/