MINUTA E FUNDIT – Policia e Shkodrës vë në pranga 2 persona, kapen edhe 7 kile kanabis sativa në Mnelë…

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme dhe kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Seksionin e Hetimit të Krimeve kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Mnela”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

G. H., 26 vjeç, banues në Mnelë, Bashkia Vau i Dejes dhe D. Ç., 46 vjeçe, banuese në Mamurras.


Këta shtetas u kapën në flagrancë, në territorin e fshatit Mnelë, në një kasolle të përshtatur për tharje dhe përpunim të bimëve narkotike cannabis sativa.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kilogramë lëndë bimore cannabis sativa.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.