Gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri do të qendrojë në burg deri në fund të hetimeve. Gjykata dha sot masën e sigurisë “arrest me burg” për gjyqtarin e ndaluar dy ditë më parë. Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë. Ai u ndalua gjatë operacionin policor të koduar “Një vrasje e dytë” me akuzat për “Korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
Mesohet se seanca gjyqësore u shoqërua me debate të ashpra mes avokatit të gjyqatrit Shkelqim Miri dhe gjykatësve.
Gjyqtari Miri, ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda prej të paktën 6 muajsh. Ai dyshohet se ka marrë një shumë parash për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të dënuar për vrasje, (Gentian Doda) të cilit i ishte ndryshuar akuza nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje.
Pas hetimeve dhe përgjimeve, prokuroria krijoi bindjen se gjyqtari e kishte marrë këtë shumë parash, pasi vendimi i dhënë prej tij ishte ai që pritej nga familjarët e të dënuarit.
Për të provuar këto dyshime, organi i akuzës kërkoi leje nga gjykata për kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.
Dhe në fakt kontrolli rezultoi efikas, pasi gjyqtarit ju kapën rreth 300 milionë lekë në banesë. Konkretisht atij iu sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 1 milion e 149 mijë lekë dhe 1 mijë dollarë.
Është një dinamikë e tëra, gjykatësi thotë që paratë kanë një zot, dhe i zoti është i ligjshëm. Për pjesën që janë gjetur në dhomën e fëmijëve, janë para të familjarëve, për një veprim kontraktor që do bënte me ato para, por për shkak të ndryshimit të qëndrimit, do përdoreshin për kurimin e tij.