MINUTA E FUNDIT – Nuk u gjet në banesë pas vendimit të formës së prerë, shpallet në kërkim ish- prokurori i përgjithshëm Llalla

Shpallet në kërkim ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Pas kontrolleve të policisë në banesë dhe mosgjetjes së tij, Llalla është shpallur zyrtarisht në kërkim.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, ish-kryeprokurori rezulton jashtë vendit, pasi nga sistemi TIMS ka rezultuar se ka dalë jashtë vendit 2 javë më parë. Forcat e policisë kanë shkuar mbrëmjen e sotme në banesën e tij, por nuk e kanë gjetur. Nuk ka pasur ndonjë komunikim nga ana e oficerëve të policisë pas kontrolleve, teksa sipas procedurës ligjore, Llalla është shpallur zyrtarisht në kërkim.


Ish-kryeprokurori Llalla është dënuar me 2 vite burg. Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO) e Shkallës së Parë, e dënoi Adriatik Llallën me 2 vite burg dhe disa pasuri iu sekuestruan dhe i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë. 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrorë dhe 1 apartament në Durrës iu morën ish-kryeprokurorit. Po ashtu Llalla u dënua që për 5 vite të mos kryejë asnjë funksion publik.

Gjykata e Apelit e Tiranës ka lënë sot në fuqi vendimin dhe Llalla përfundimisht duhet të kryejë dënimin me 2 vite burg dhe të mos ushtrojë funksione publike si dhe iu sekuestruan disa pasuri.