
Mark Molla është administratori i ri i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, duke pasuar në këtë detyrë paraardhësin Admir Uruçi që dha dorëheqjen nga ky post.
Zgjedhja e tij ka ardhur në fund të mbledhjes së Bordit të Administrimit (BA) të UNISHK, e cila ka zgjatur për më shumë se 4 orë, ku nuk kanë munguar edhe debatet. Në fund, ka qenë procesi i votimit të 7 anëtarëve të BA- së që ka zgjedhur Mollën si administrator të UNISHK, i konsideruar edhe si numri 1 i këtij IAL- je, pas rektorit Tonin Gjuraj. Molla mori 6 nga 7 votat e anëtarëve të BA- së.
Në garë për këtë post, ishin edhe 3 kandidatura të tjera: Kozeta Jana (Marku), Julian Përgega dhe Armando Vata. Pas miratimit paraprak të 4 emrave nga Senati Akademik i UNISHK, “topi” kaloi në Bordin e Administrimit, i cili nisi procedurën e tij me 3 mars 2026 për ta përfunduar pas rreth një muaji.
Mark Molla doli më i mbështeturi me pikë bazuar në kriteret e dokumentacionit në dosjen e paraqitur për aplikim si dhe intervistën përballë anëtarëve të BA- së. Më herët, Molla ka mbajtur pozicione të rëndësishme edhe si drejtues institucionesh publike, së fundi si administrator i UK Shkodër. ShkodraWeb i uron suksese në detyrën e re!





