Maxhoranca dhe opozita e re kanë votuar me shumicë votash rezolutën “shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e gjykatës kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.
Kjo nismë e shumicës erdhi si një përgjigje ndaj vendimit të Presidentit Meta, i cili nuk ka njohur Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nismë e shumicës parlamentar është përkrahur edhe nga deputetët e opozitës së re të cilët bashkë me PS kanë mbledhur në parlament 97 vota pro. Ndërkohë që vetëm 4 vota ishin abstenim gjatë seancës plenare.
Gjatë kësaj seancë është votuar me konsensus edhe zgjatja e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Çfarë parashikon rezoluta
Sipas propozuesve të rezolutës, Presidenti i Republikës me veprimet e tij ka tentuar të bllokojë funksionimin normal të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës, sipas projektrezolutës, mori abuzivisht kompetencat e KED-it, pasi KED është organi i vetëm që përcakton renditjen.
Gjithashtu, thuhet se dekreti i Metës për Marsida Xhaferllarin është i pavlefshëm. Më tej, Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat pa krijuar asnjë pengesë, për mundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese, znj. Arta Vorpsi, znj. Elsa Toska dhe znj. Fiona Papajorgji.