
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në zonën e Rrilës, në Lezhë, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Burime paraprake bëjnë me dije se elektricisti Mark Prenga, 27 vjeç, ka mbetur në kontakt me rrymën elektrike teksa po punonte për riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në vijim.
NJOFTIMI I POLICISË
Informacion paraprak/Rreth orës 09:40, shtetasi M. P., 27 vjeç, me profesion elektricist, gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë të energjisë elektrike në fshatin Rrilë, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën dhe si pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.




