
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Lajmi vjen pak ditë pasi Tahiri dha dorëheqjen si deputet i pavarur dhe pranoi të hetohet si qytetar i lirë për akuzat e përfshirjes në trafik droge me grupin e trafikantëve “Habilaj”.
Prokuroria kërkoi burg pa afat për ish-ministrin Tahiri, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga gjykata duke dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ky veprim vjen pasi Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve pranoi dorëheqjen e tij duke konstatuar përfundimin e mandatit. Një grup prokurorësh, Dritan Prençi, Gent Osmani, Elisabeta Imeraj dhe Besim Hajdarmataj kanë mbërritur në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm për t’i komunikuar masën e sigurisë.
Vendimi
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.
Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!