
Mbledhja e Bordit të Administrimit (BA) të UNISHK për zgjedhjen e administratorit, ka dështuar. E njoftuar nga kryetari Adrian Leka, mbledhja duhej të fillonte në orën 12:00, si vijim i asaj të ndërprerë me 3 mars 2026.
Në orarin e caktuar, ka qenë i pranishëm kryetari i BA- së Adrian Leka, anëtarja Brikena Kapisyzi dhe sekretarja e BA- së Saida Bizaku. Ndërkohë i pranishëm ishte edhe rektori Tonin Gjuraj, mbi bazën e nenit 28, pika 12 e statutit të UNISHK, pa të drejte vote. Ai ka kërkuar që mbledhja të jetë e hapur edhe për mediat. Kryetari Leka ka kërkuar që anëtarët të jenë të pranishëm qoftë edhe online, për të vijuar mbledhjen por anëtarët që mungonin fizikisht, nuk kanë pranuar të jenë pjesëmarrës as virtualisht.
Kjo mbledhje duhej të votonte në mes 4 kandidatëve, administratorin e ri të UNISHK, teksa i pranishëm ishte edhe njëri prej tyre. Pas rreth 30 minutave pritje përtej orarit të caktuar, për mungesë kuorumi mbledhja u konsiderua e anuluar.
Ndërkohë, kryetari i BA- së Leka, u ka bërë thirrje anëtarëve të këtij organi të kryejnë detyrën e tyre, në zbatim të kuadrit ligjor dhe statutor. Në të njëjtën linjë, ka qenë edhe rektori Gjuraj, i cili u ka bërë thirrje anëtarëve të BA- së të zgjedhur nga Senati Akademik i UNISHK, të mos braktisin dhe të shpërdorojnë detyrën.
Nga ana e tij, kryetari i BA- së Adrian Leka, ka njoftuar mbledhjen e radhës me datë 18 mars 2026, ora 12:00 duke u bërë thirrje anëtarëve të jenë të pranishëm. /ShkodraWeb/





