Ish- kryeministri Sali Berisha nuk ka ndërmend të ndalet në lëvizjen e tij. Pas protestës së 8 janarit, ai ka vendosur ti rikthehet takimeve me bazën demokrate. Lajmi bëhet i ditur përmes publikimit të një posteri në Facebook nga Ervin Gjini, antar i kryesisë së PD Shkodër dhe kryetar grupseksioni.
Në posterin e publikuar bie në sy logo e Partisë Demokratike, ajo e miratuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit 2021 në Tiranë. Në pjesën e sipërme shkruhet “Mirë se vjen në Shkodër Prof. Dr. Sali Berisha”.
Në pjesën e poshtme zë vend një nga mesazhet që Berisha ka shpërndarë në rrjete sociale, me firmën e tij shoqëruar: “Asgjë nuk mund të pengojë
revolucionin paqësor në realizimin e objektivave tona historike”.
Nga posteri mësohet se Berisha do të jetë në Shkodër me 16 janar 2021, ora 11:00 ndërsa takimi do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Nuk është e qartë nëse është rikthim i “Foltores” apo thjesht një takim me demokratët në bastionin historik të PD- së, Shkodrën. /ShkodraWeb/