
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, të DVP Shkodër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, si dhe bazuar në inteligjencën informative se 2 shtetas shpërndanin doza drogash të forta, në qytet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Weekend”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Erjon S., 21 vjeç dhe Alvaro V., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit “Weekend”, kanë ndaluar për kontroll, automjetin me të cilin udhëtonin 2 shtetasit e arrestuar. Si rezultat, këtyre shtetasve iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.