Një zhvillim i papritur pas kapjes së sasisë rekord prej 613 kg kokainë në Durrës. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i kërkon drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj, të thërrasë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetin Sali Berisha, si persona që kanë dijeni lidhur me poseduesit e ngarkesës prej 613 kg kokainë në Durrës.
Përmes një letre, ministri thotë se 2 deputetët duhen thirrur pasi kanë bërë deklarata publike se kanë dijeni se kush e zhvillon trafikun e drogës në vend dhe veçanërisht për faktet që kanë të bëjnë me poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kg kokainë.
Në shkresën e drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ministri Xhafaj thekson se “nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”.
Duke treguar kujdes që letra të mos të interpretohet si një ndërhyrje në punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ministri Xhafaj vlerëson se përgjegjësia e tij kushtetuese, por edhe interesi si qytetar e obligojnë që të kërkojë vëmendjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për deklaratat e bëra dhe të artikuluara publikisht nga autorët e tyre, pasi do të ishin të dobishme për hetimin e këtyre veprave penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Çmoj se ka interes të ligjshëm publik dhe posaçërisht për hetimin që është duke u kryer që, nga ana e institucionit që ju drejtoni, të thirren këta persona dhe të deklarojnë përpara Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, faktet për të cilat kanë dijeni dhe provat, që ata zotërojnë për klanet kriminale të trafikut të drogës, përfshi edhe rastin e fundit të sekuestrimit të 613 kilogram kokainë’’, thuhet në letër.
Ministri i Brendshëm nënvizon se është detyrim kushtetues i zotit Berisha dhe zotit Basha t’i paraqesin Prokurorisë së Krimeve të Rënda faktet dhe provat që disponojnë.
“Ndërkohë unë njoh dhe respektoj faktin se zyra që ju drejtoni është organi kompetent që Kushtetuta dhe ligji e ngarkojnë të marrë dhe të vlerësojë ligjërisht deklarimet e këtyre zotërinjve dhe vërtetësinë e tyre, ndaj është përgjegjësia juaj institucionale dhe detyrimi kushtetues e ligjor i zotit Sali Berisha dhe i zotit Lulzim Basha që t’i paraqesin organit që ju drejtoni, faktet dhe provat mbi trafikun e drogës në Shqipëri, që ata pretendojnë në deklarimet e tyre publike”, thekson z.Xhafaj.
Në fund të letrës ministri shpreh gjithë mbështetjen institucionale të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe shprehet besimplotë tek puna dhe rezultatet hetimeve për çështjet e trafikut të drogës, përfshi këtu edhe çështjen e sekuestrimit të 613 kilogramëve kokainë në Durrës.