ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Metamorfoza në tridhjetë vite e Edi Ramës…

Piktor, sportist, djali i antarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Të gjitha rekuizitet për të qenë i privilegjuar, njëkohësisht i informuar, ndriçuar, i hedhur, në vëmendje por edhe rebel. Në pak fjalë profili i Edi Ramës në kapërcyell të 1989-ës. Kështu e kanë përshkruar ata që e kanë njohur nga afër, janë detaje që në rrëfime të ndryshme ndër vite ka dhënë ai për veten. Në nisje të zhvillimeve demokratike, natyrshëm do ti afrohej një lëvizje “në modë”, rebele dhe me synim gati revolucionar. “Në modë” ishte Lëvizja e Djetorit, më pas Partia Demokratike. U largua vetë apo e larguan me dhunë sepse ishte radikal në qëndrimet e tij ndaj diktaturës, Ramiz Alisë, Bllokut e bllokmenëve, babait të tij. Janë të shumtë ata që e pohojnë edhe vetë ai në mënyrë të tërthortë. Kjo, në vitin 1990- 1991. Ishte një nga kritikët më të ashpër të prirjeve për pushtet të Berishës në harkun 1992- 1996. “Letrat nga ferri” por edhe shkrimet e tij, kishin audiencë të madhe dhe nuk e di nëse në përshkrimet e tij, e gjen veten ose jo në ndjekje të pushtetit. Madje, u godit, u gjakos dhe u detyrua të emigrojë në emër të mbrojtjes së vlerave demokratike e lirisë së shprehjes. Në 1998-ën, u fut në politikën e lartë për të mos dalë më, si sot e 21 vjet më parë. Para pak orëve, me krenari, doli e dha kumtin e Shqipëria e drejtuar nga ai për gjashtë vite, po kthehet në njëngjyrëshe por jo e kuqe siç ai nuk e dëshironte në fillim të 1990-ës. Mavi! Faji mbase nuk është direkt i tij, mund të ketë edhe bashkëfajtorë në faj. Por kryefajtori natyrisht është ai. Në asnjë mënyrë, në emër të radikalizimit të 90-ës, të dhëmbëve të thyer e gjakut që i rridhte nga goditjet që ai deklaronte se i merrte si publicist opozitar, Edi Rama nuk duhet ta lejonte këtë ngjyrosje të çartun të hartës së Shqipërisë. Natyrisht. Si i gjithëpushtetshëm i pakontestueshëm, ka të gjithë mekanizmat të riparojë shumëçka. Shumëkujt i mungon Edi i 1990-ës, 1996-ës, i 1999-ës së fasadave, i 2000-it me sopatë në dorë, i 2009-ës në garën legale me Lakrorin dhe politike me Blushin…por askujt nuk i mungon e nuk do ti mungojë Rama i mbrëmjes së 30 qershorit. Pas disa kohëve, as vetë Edit nuk do ti mungojë ky Ramë. Madje, do të ndjehet i turpëruar ti kthehet pasqyrës së 30 qershorit 2019. Ka disa orë që po e shmang pasqyrën… Për të mos u ndjerë si ata që kërkoi në 1990-ën ti shkulte e tërhiqte zvarrë jo nga sheshet, por nga zyrat e vilat!  /ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.