“Jam një misionar në politikë” ishte një nga shprehjet e preferuara kur pas dorëheqjes së Nanos nga PS-ja, mori drejtimin Edi Rama. Në vitin 2005 Edi Rama po tentonte të krijonte një profil të ri politikani duke nisur jo vetëm nga ky parim që e përsëriste në çdo studio televizive por edhe tek lejimi i fraksioneve, liria e shprehjes e kështu me rradhë. Në fakt, pas këtij viti, me fuqizimin e kuptueshëm në krye të PS-së, Edi Rama e bunkerizoi këtë parti, duke e kthyer në një fotokopje të PD-së së drejtuar me “dorë të hekurt” nga Sali Berisha.
Nuk është e vështirë të perceptohet metamorfoza e Edi Ramës në këto 13 vite, metamorfozë e cila kulmon me shprehjen e tij “politika është shah”.
Nëse më heret Rama e konsideronte veten jo vetëm misionar në politikë por edhe që mund ta linte atë në çdo moment, sot ai po kërkon me çdo kusht të qëndrojë sa më gjatë në krye. Është “sëmundja” që kaplon të gjithë ata që ngjiten në majat e pushtetit dhe nga e cila mund të shpëtohet vetëm duke kërkuar ndihmën e qytetarëve. Sigurisht, në një vend që fjala e tyre përmes votës ka peshë…
Edi Rama është i dashuruar jo me “timonin” por me pushtetin. Pas 25 qershorit 2017 e sheh veten të githëpushtetshëm, një farë soj “Zoti” në PS, në qeverisje të vendin dhe ëndërron… Pavarësisht se edhe sot Lulzim Basha flet për 15 mandate të pamerituara apo grabitura nga PS, shqiptarët para 1 viti e 3 muaj i besuan qeverisjen i vetëm, pa asnjë shtojcë të nevojshme, as LSI-në. Ky ishte zeniti i Ramës dhe tanimë apogjeu është i pashmangshëm.
Ironia e fatit donte që Rama të ndiqte milimetër më milimetër atë që anatemonte më shumë gjatë 8 viteve të opozitës: Sali Berishën. E akuzonte se po monopolizonte çdo pushtet, por Rama ia ka kaluar dukshëm në këtë drejtim. E përqeshte se qëndronte nga mëngjesi në darkë në ekrane televizive, sot Rama ka ndërtuar një televizion privat, përmes të cilit lidhen LIVE të gjitha mediat e tjera. E sulmonte për lidhje me krimin, nepotizëm e kështu me rradhë: sot Ramës i kanë shpërthyer publikisht dhjetra skandale të tipit Gjushi, Xhafaj e Tahiri, ndërsa flet vetë për “drejtora legena që po i nxijnë fytyrën”. Rama akuzonte Berishën për vjedhje dhe manipulim votash, ndërsa në fakt “anija” e tij po fut ujë nga të gjitha anët.
Hyrja e Ramës në politikë na sjell në mendje bojatisjen shumëmgjyrëshe të Tiranës dhe një kryebashkiak me sopatë në dorë që pret shtylla elektrike. Pa harruar fotot nudo që çuditërisht, ndikuan direkt dhe pozitivisht në fitoren e mandatit të dytë në Tiranë si kryetar bashkie.
Sot pas 20 viteve, kemi një Edi Rama kryeministër të martuar, baba i një fëmije të vogël, që përgjithësisht bën një jetë normale familjare. Por është si të gjithë politikanët e tjerë, nuk ia doli të “instalojë” modelin e tij. Edhe ai është peng i etjes për pushtet. I etjes për të qëndruar në pushtet me çdo mjet. Sigurisht demokratik, të paktën në dukje… /Shënim i ShkodraWeb/