Si sot 28 vjet më parë do të rrëzohej në mes të Tiranës busti i diktatorit komunist Enver Hoxha. Për këtë shkak do të shkarkohej ministri i brendhsëm i kohës Hekuran Isai dhe si “dorë e fortë” por edhe si ministri i fundit komunist do të emërohej Gramoz Ruçi!
E sot, me 20 shkurt i njëjti person, sot numri 2 i shtetit shqiptar, mori flamurin si “mbrojtësi më i flaktë” i demokracisë shqiptare.
Vetëm kaq pak është e mjaftueshme për të kuptuar mjerimin politik të këtij vendi! Ndoshta nuk mban mbi supe asnjë mëkat, mbase është “puritani” i politikës shqiptare, por për një vend pas 30 viteve pluralizëm, është mjerim që flamurtar i mbrojtjes së demokracisë e institucioneve të jetë ministri i brendshëm i fundit i diktaturës komuniste.
Periudha e tij si ministër i brendshëm, 22 shkurt 1991 deri me 11 majj 1991, është denoncuar nga ish- shefi i Sherbimit Sekret Bashkim Gazidede si koha kur me firmën e Gramoz Ruçit janë zhdukur 10 mijë dosje të Sigurimit të Shtetit.
Gramoz Ruçi nuk ishte i rastësishëm as në 1991 dhe as sot. I lindur në një nga bastionet e komunizmit siç është Salaria e Tepelenës, si për ironi të fatit u diplomua si mësues në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Pasi sherbeu 2 vite në Gardën e asaj kohe, dy vite ndoqi edhe Institutin e Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës. Siç është e kuptueshme, një pinjoll i komunizmit duhej të kryente edhe Shkollën e Partisë në Tiranë që drejtohej nga Nexhmije Hoxha. Karriera e tij në komunizëm vazhdoi me Këshillin Popullor në Progonat, ku punoi si sekretar për 4 vite, e më pas me ngritje, sekretar i Komitetit të Partisë së Tepelenës, ku në prag të rënies së komunizmit 1990-1991, u bë edhe sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së.
Nga 1991, ku Partia e Punës u konvertua në Parti Socialiste, natyrshëm Ruçi do të ingranohej në postet më të larta, por pa marrë asnjë pozicion ekzekutiv në qeverisjet politike. Me përjashtim të kryetarit, ai ka patur postet më të rëndësishme politike në PS dhe madje, sot e kësaj dite, identifikohet me nofkën “komandant”. Nga shtatori 2017, Edi Rama e ngjiti në krye të Kuvendit, edhe si numri 2 i shtetit shqiptar. Nga ky pozicion, sot u shfaq me flamurin e “mbrojtësit të demokracisë”, ai që në fakt do të mbahet mend gjatë si ministri i brendshëm i fundit i Partisë së Punës (Komuniste), duke shënuar një rekord në vete në të gjithë Europën Lindore. E këtu, nuk po flasim për rolin e tij në ngjarjen tragjike të 2 Prillit në Shkodër, ndërsa sot ai nuk ngurroi të bëjë paralelizëm me 21 Janarin, ngjarje me përmasa tragjike edhe ajo, e lidhur direkt apo indirekt me Ruçin si një nga liderët e opozitës që organizoi protestën në atë kohë.
Në jetën e Gramoz Ruçit është edhe një episod jo shumë “i lavdishëm”, arratia në Greqi nga qershori 1996 deri në qershor 1997, madje i veshur si grua.
Metamorfoza e Gramoz Ruçit, mbijetesa në politikën e lartë shqiptare, këtej dhe andej 1990-ës është tregues i qartë se sa pak ka ecur Shqipëria drejt demokracisë këto 30 vite. Për të mos thënë se vazhdon të qeveriset nga e njëjta kastë, ajo që sot u rrek të na tregonte se sa “e ha meraku” për demokracinë në vend. Ky është një turp, turp i madh për të gjithë ne që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend pas 1990-ës! /Shënim i ShkodraWeb/