Që prej 31 majit të 2017, afati i kontratës kolektive mes sindikatave të arsimit dhe MASR ka përfunduar, duke lënë në pritje plot 36 mijë mësues në mbarë vendin. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptelli tregon se pavarësisht kërkesave zyrtare të vazhdueshme, ende nuk kanë marrë një përgjigje për fatin e rinovimit të kontratës. Gjithashtu, presidenti nxjerr në pah edhe probleme të tjera si shpërblimet e mësuesve, të cilat prej 4 vitesh nuk bëhen reale. Sipas tij, edhe shumë punësime të mësuesve nëpërmjet portalit, nuk janë bërë mbi meritokracinë, e madje ka pasur raste punësimesh edhe pa aplikime në portal. Kaptelli thotë se nëse Ministria e Arsimit, nuk i jep një zgjidhje problemeve të tyre, veçanërisht rinovimit të kontratës, SPASH do të përdorë çdo rrugë të mundshme ligjore, madje edhe protestat për të vënë në vend dinjitetin e mësuesve.
Kur i ka fillesat Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë?
Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë është krijuar në vitin 1991, me fillimin e proceseve demokratike në vend. Ajo ishte dhe vazhdon të jetë pjesë e sindikatave të pavarura të Shqipërisë. Që nga ajo kohë në Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë u regjistruan pjesa më e madhe e mësuesve në mbarë vendin dhe sot SPASH është një nga sindikatat më të mëdha për arsimin në Shqipëri.
Cili është misioni i saj?
Misioni jonë është që të mbrojmë të drejtat e mësuesve në Shqipëri e kjo realizohet edhe nëpërmjet kontratës kolektive. Në SPASH kanë të drejtë të regjistrohen të gjithë mësuesit që janë të punësuar në arsimin parauniversitar, gjithashtu, edhe punonjësit ndihmës. Në Sindikatën e Pavarur të Arsimit të Shqipërisë dhe në Federatën Sindikale të Arsimit dhe Shkencës, FSASH, e cila është aleatja jonë, janë të regjistruar mbi 70% e mësuesve të Shqipërisë dhe kjo na dha të drejtën e nënshkrimit të kontratës kolektive me MASR. Kjo kontratë rregullon të gjitha marrëdhëniet e punës mes mësuesve dhe Ministrisë së Arsimit dhe me DAR-et e rretheve.
A është rinovuar kontrata kolektive nga Ministria e Arsimit?
Në 16 dhjetor 2015 u nënshkrua kontrata kolektive, e cila përfundoi në 31 maj të 2017-ës. Ne iu drejtuam Ministrisë së Arsimit që në 16 mars të këtij viti në mënyrë që të fillonin procedurat për nënshkrimin e kontratës së re. Por marrëveshja kolektive ngeli e panënshkruar edhe pse ne i paraqitëm provat e përfaqësueshmërisë e ishim në përputhje me ligjet e përcaktuara në Kodin e Punës. Pra, rreth 36 mijë mësues të arsimit parauniversitar kanë ngelur pa kontratë prej shumë muajsh.
A e keni kërkuar një zgjidhje nga instancat përkatëse?
Gjatë gjithë kësaj kohe ne jemi përballur me MASR dhe me Drejtoritë Arsimore Rajonale në rrethe me probleme të pazbatueshmërisë së ligjit të arsimit parauniversitar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Ky problem na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës e madje kemi bërë edhe protesta para godinës së MAS. Ajo çka na shqetëson më shumë ne si sindikatë është fakti që Ministria e Arsimit nuk e zbaton ligjin e arsimit parauniversitar ku në nenin 2 pika 18 thuhet se partnerë socialë janë sindikatat e arsimit me të cilat MASR nënshkruan kontratat kolektive të punës.
Cila ishte përgjigjja që morët nga Ministria e Arsimit mbi rinovimin e kontratës?
Ministria e Arsimit nuk e ka marrë mundimin të rinovojë kontratën, pavarësisht kërkesave tona zyrtare që kanë ngelur pa përgjigje. Drejtori juridik i këtij institucioni është bërë pengesë pasi nuk është dashamirës ndaj sindikatave të arsimit dhe nuk respekton partneritetin me ne.
Sa ka bashkëpunuar Këshilli Kombëtar i Arsimit me MASR?
Për më shumë se 4 vite, Ministria e Arsimit në vendin tonë nuk ka marrë asnjë hap për të vënë në funksion Këshillin Kombëtar të arsimit parauniversitar. Kjo është diçka e papranueshme, sepse ata pretendojnë se bëjnë reforma dhe këto reforma nuk kanë kaluar nga ky Këshill. Kështu që nuk pretendoj që të ketë reforma të suksesshme kur nuk përfshihen të gjithë aktorët e arsimit. Gjatë gjithë këtyre viteve ne asnjëherë nuk jemi thirrur për diskutimet mbi projektbuxhetin e arsimit nga kjo ministri, ndërkohë që kemi të drejtë me ligj.
Sa të kënaqur janë mësuesit e arsimit parauniversitar me pagat aktuale?
Në 4 vitet e shkuara, mësuesit e sistemit parauniversitar kanë qenë më të diskriminuarit në paga. Pas kërkesës sonë u ndryshua VKM, dhe mësuesit patën një rritje page të papërfillshme, e cila nuk mbulonte as inflacionin. Një pjesë e mësuesve marrin edhe më pak sesa merrnin para rritjes së pagës në bazë të VKM. Dega Ekonomike e MASR ka premtuar që do e zgjidhi pas denoncimit tonë, por nuk morëm asnjë zgjidhje.
A kanë marrë shpërblime mësuesit në fund të vitit?
Pas ardhjes së Nikollës në krye të Ministrisë së Arsimit, mësuesit kurrë nuk e morën shpërblimin, pavarësisht protestave e kërkesave tona. Vitin e kaluar është përdorur një mënyrë shumë e turpshme, ku ministrja Nikolla ka shtruar darka për mësuesit për të ulur tensionin e për t’i mbyllur gojën mësuesve, duke luajtur shumë keq me dinjitetin e tyre.
Sa i besueshëm është aplikimi përmes portalit nga ana e mësuesve?
Nga të dhënat që na vijnë nga rrethet ndodh që pjesa më e madhe e drejtuesve të DAR-it në rrethe nuk i punësojnë mësuesit nëpërmjet portalit. Theksoj këtu që mësuesi Neki Hysa në Dibër edhe pse ka dalë i pari në portal, para tij janë punësuar të tjerë që renditeshin më poshtë se ai. Zyra Arsimore e Kamzës madje ka arritur të punësojë mësues edhe pa portal.
Si e vlerësoni ju procesin e anketimit?
Ky proces për ne është një tallje që bëhet me mësuesit, krejt i panevojshëm, i cili nuk do të sjellë asgjë të dobishme.
Si paraqiten marrëdhëniet e SPASH me Drejtoritë Arsimore Rajonale?
Ne kemi denoncuar veprimtarinë e jashtëligjshme të disa DAR-eve në vend. Vlen të përmend këtu rastin e Drejtorisë Arsimore të Dibrës, e cila në kundërshtim me ligjin e arsimit parauniversitar dhe aktet nënligjore për punësimet, lëvizjet paralele e largimet nga puna nuk larguan nga puna ata që ishin jashtë profilit, por hoqën nga puna mësues me 30 vite punë e të kualifikuar që dolën të parët në portal dhe guxuan të punësonin jashtë sistemit edhe agronomë, madje edhe mësues që ishte dënuar më parë me burg. Por drejtoresha e vendosur në krye të DAR-it në Dibër ende po vazhdon këtë rrugë, kjo për faktin edhe se janë të përfshirë në politikë.
A janë denoncuar këto raste shkeljeje nga ana juaj si sindikatë?
Të gjitha këto ne i kemi denoncuar, por një pjesë e tyre jo vetëm nuk kanë gjetur zgjidhje, por kanë cenuar rëndë figurën e disa mësuesve. Kështu që mësuesit me mbështetjen tonë kanë nisur proceset gjyqësore ku dhe kanë fituar.
Cila është thirrja juaj ndaj Ministrisë së Arsimit?
I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit që të respektojë ligjin e arsimit parauniversitar dhe të nisë sa më shpejt procedurat për rinovimin e kontratës kolektive, në të kundërt neve nuk na pengon asgjë për të përdorur të gjitha mjetet që na lejon ligji, deri në protestë për të mbrojtur të drejtat e mësuesve. /gsh.al/