Mesazhi i vetëlargimit të Adriatik Llallës nga sistemi i drejtësisë

Nga Blerti DELIJA

Dikush me të drejtë mund të shprehet: Është e drejta e ish- prokurorit të Republikës të tërhiqet nga sistemi i drejtësisë pasi ka qënë për 5 vite në krye të organit të akuzës! Është e drejta e tij të refuzojë emërimin si gjyqtar i Apelit në Tiranë. Por a mund vlejë kjo për Adriatik Llallën?

Adriatik Llalla u ngjit në majën e organit të Akuzës pasi vinte nga kryesimi i ILDKP-së. Dy institucione shumë të rëndësishme në luftën e shtetit kundër krimit e korrupsionit, sidomos në nivelet e larta zyrtare.

Kishte shumë në dorë, por në krye të ILDK-së Llalla bëri një “vrimë në ujë”. Të njëjtat “arritje” edhe në krye te prokurorisë së Republikës. Gjatë viteve të këtyre dy mandateve, sumë kanë menduar se Llalla nuk ka mundur të bëjë diçka si pasojë e presionit dhe sulmeve politike. Por e gjithë kjo alibi, sot me 10 shkurt 2018 bie poshtë.

Llalla është vetëmbajtur peng. Në një nga etapat e detyrave të rëndësishme shtetërore që ka mbajtur, duhet të “ketë ngjyer gishtin diku”. Në postet e larta shtetërore- kushtetuese që ka mbajtur, nuk ka shumë dyshime se Llalla duhet “të ketë gëlltitur diku një lugë çorbë të prishur” e natyrisht ka nis “të vjedhë gjithë jetën”.

Ka disa mesazhe brenda vetëlargimit të Llallës nga sistemi i drejtësisë. E para, ka frikë ti nënshtrohet vettingut, ndoshta për shkak të së kalurës apo edhe të pasurisë që mbase nuk mund ta justifikojë nëse hetohet. E dyta, Llalla ka siguruar jo vetëm jetën e tij, por edhe të femijëve të paktën, teksa refuzon një “vend pëllumbash” në Gjykatën e Apelit. E treta, ish- prokurori do të identifikohet si përfaqësuesi më i denjë i ish- zyrtarëve të lartë që i “fal shpirtin djallit”, por deri në fund. Ky përcaktim vlen sidomos për ata që do të ulen nga sot e në vijim në karriket e larta të shtetit.

Teksa një ish- prokuror tërhiqet i frikësuar nga sistemi i drejtësisë për arsye që ai vetëm i di e që ne mund vetëm ti aludojmë, më kujtohet ish- paraardhësja e tij. Ina Ramës ju mohua ajo e drejtë që sot Llalla e shqelmoi. Rama provoi edhe kalvarin e gjyqeve për një të drejtë që asnjëherë nuk ju dha.

Unë nuk njoh nga afër as Llallën, as Ramën. Nuk më interesën shumë fati i tyre pasi janë rrezuar nga karriket. Edhe pse nuk mund ta mohoj se nuk mund t’ua fal kurrë kur kanë firmosur përmes vartësve të tyre arrestime e denime për fakirë- fukarenj dhe kanë grisur “letrat” për politikanë- miliarderë. Por kjo “mesele” e ka një moral, nëse kjo klasë politike do ta “varë vëth në vesh”. Njerëzit e kapur nuk janë gjithmonë në shërbimin e atyre që i emërojnë….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *