‘Artisti i Merituar’, Guljelm Radoja iu bashkua dje protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, duke vlerësuar aktorët dhe qytetarët që rezistuar prej javësh. Gjatë fjalës që mbajti jashtë ambienteve të godinës së teatrit, Radoja kritikoi ashpër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për planin që ka kundër këtij institucioni.
Radoja tha se Veliaj është askushi, që erdhi nga jashtë dhe e pa veten kryetar të Tiranës. Ai e paralajmëroi kryebashkiakun se do e këtë përballë për çështjen e teatrit dhe nuk ngurroi ta sifdojë publikisht.
“I thashë Kaçit do të vij, jo për inat, por për t’ju përgjigjur dikujt që tha mbrëmë – është një nga këta “askush” që erdhi nga jashtë dhe e pa veten kryetar të një qyteti (Erion Veliaj) – “ku janë figurat?”, tha ai, “ku i keni ju figurat, more?” Ja, më keni mua. Edhe i them atij njeriu (Veliajt), në rast se merr guximin dhe i sheh lajmet, i them ja ku më ke përballë. Jam Guljelm Radoja, qytetari Guljelm Radoja. Ai qytetar, që me qytetarët e tjerë të Tiranës, me qytetarët e tjerë të rretheve që vijnë këtu, që e duan këtë institucion, jo mua si aktor, por këtë institucion, që duan ta zhbëjnë që në kohën e një ish-drejtori. I them atij njeriu që, unë, qytetari Guljelm Radoja e sfidoj atë, Qeverinë, këtë anonimat, ndërsa si aktor nuk do ua lejoj luksin atyre që të vijnë dhe të bëjnë homazhe mbi kufomën time. Siç i sfidoi Bujar Lako”, u shpreh aktori i madh Guljelm Radoja.
Dy ditë më parë ishte një tjetër figurë e rëndësishme e artit shqiptar, Roza Anagnosti, e cila gjatë pjesëmarrjes në protestë bëri thirrje për ruajtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. /Politiko.al/