
Nga Blerti DELIJA
“Është e lehtë të shkulësh bustet e dikatorëve nga sheshet por thuajse e pamundur t’ i shkulësh nga shpirtrat e njerëzve”. Nuk e di pse më erdhi në mendje kjo shprehje teksa po mendoja të shkruaja disa rreshta për 20 shkurtin e 1991-it. Kam shkruar jo rradhë për këtë datë, edhe pse unë e perjetova nga Shkodra dhe ajo zhvillohej në Tiranë.
Në vetvete, cdo datë e rëndësishme tenton të përcjell masazhe edhe shumë vite pasi ka kaluar. E 27 vite nuk janë pak, sidomos për jetën e një njeriu. Isha pa i mbushur 18 vjeç dhe sot mbase e shikoj ndryshe edhe mesazhin e kësaj dite. Faktikisht, nga viti në vit e përjetoj me vlera të reja.
Ajo që ndjej sot është harresa. Më vjen keq ta them por pluhuri që ka mbuluar prej shekujsh ngjarje të tjera të vlefshme për historinë e kombit tonë, po vijon të precipitojë edhe tek ato të vona, ku dëshmitarët okularë janë gjallë e të fortë. Nuk ishte e lehtë të mendoje rrezimin e bustit të Enver Hoxhës në Tiranën e 1991-it. Nuk ishte e lehtë për shumë arsye, por më madhorja ishte sipas meje se “të fluturonte koka”.
Ishte koha kur ligjet diktatoriale ishin plotësisht në fuqi, edhe pse zyrtarisht pluralizmi kishte dicka më shumë se dy muaj që kishte riardhur ndër shqiptarët e Shqipërisë. Nga ana tjetër, vrasjet në kufi vijonin ashtu siç edhe sot e kësaj dite, qindra shqiptarë nuk dihet akoma nuk janë zhdukur. Shumë familje i mendojnë gjallë, e mbase tashmë janë të shuar shkrepave të Shqipërisë.
Unë e kam një përgjigje për harresën. Nuk besoj së mund të flitet për harresë kolektive. Si unë, janë me qindra, mijëra që shkruajnë apo postojnë diçka në rrjetet sociale për këtë ditë. Është një harresë që na imponohet.
Sepse 20 shkurti 1991 është pronë e çdokujt por edhe e askujt. Asnjë forcë politike atëhere por edhe sot, nuk mund të rrahë gjoksin për autorësinë. Sepse në fakt, nuk mund të dalë askush një hap përpara dhe të thotë “unë isha organizatori”. Prandaj besoj se kjo datë, siç edhe disa të tjera me autorësi “populli”, po lihen në harresë të qëllimshme.
Për ata që kanë lindur pas 1990-ës apo të tjerë që nga hallet nuk e kanë kujtesën e freskët, 20 shkurti kishte zanafillë studentët, grevën e tyre të urisë për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti ku studionin.
E pjesa tjetër e popullsisë, natyrisht me bij, nipër apo të afërm studentë asokohe, donin ti bënin një “dhuratë” grevistëve. Jo rastësisht, pasi e shkulën nga zemra e Tiranës, e tërhoqën zvarrë me një IFA dhe e dërguan në Qytetin “Studenti” si një “trofe lufte”. Por atëherë e sot, studentët nuk kanë një parti të tyre, pavarësisht perbetimeve të partive tona tradicionale të 27- viteve.
E përveç këtij mesazhi, 20 shkurti 1991 përcjell edhe një mesazh tjetër të rëndësishëm. Ata që ishin në krye asokohe, duket se kane vijuar të jenë për 27 vite dhe fatkeqësisht, do të jenë edhe për shumë vite. Deri sa natyra të bëjë punën e vet. Nuk e kam fjalën për një ndarje të tipit komunist- antikomunist, pasi lodhja e 3 dekadave ka zbehur çdo dëshirë për tu futur në këtë temë.
E kam fjalën për atë klasë politike, e cila nën shembullin e atyre që mbronin me fanatizëm bustin e Enver Hoxhës në 1991-in, janë të dashuruar me pushtetin. Edhe pasardhësit politikë, po i edukojnë me idenë e qëndrimit në pushtet sa më gjatë, me çdo mjet e menyrë, kur humbasin e natyrisht fitojnë me votën e popullit. Nëse mund ë quhet votë, ajo e 27 viteve të fundit.







