Merret i pandehur nga SPAK kryebashkiaku socialist, u denoncua nga PD por KQZ nuk i hoqi mandatin…

SPAK – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka marrë si të pandehur kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili më parë është denoncuar edhe nga Partia Demokratike.

Në njoftimin e SPAK thuhet se është regjistruar procedimi penal në ngarkim të tij, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.


“Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet”, thuhet në njoftim.

Prokuroria i nisi hetimet vitin e kaluar pas denoncimit të Partisë Demokratike, që pretendonte se Ismailaj ka qenë i dënuar për plagosje me dashje në një ngjarje të ndodhur në Shkurt të vitit 2000. Qerim Ismailaj, i dalë kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019 , u akuzua nga PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi se ai ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit pasi ka qenë i dënuar në Greqi. Vetë Ismailaj ka deklaruar se nuk kishte dijeni lidhur me këtë dënim, pasi në të kundërt do e kishte deklaruar sepse nuk do e kishte penguar të kandidonte për kryebashkiak.

PD argumentoi në kërkesën e saj se Isamilaj nuk mund të qëndrojë në detyrë për shkak se nuk ka integritetin e duhur për të ushtruar funksione publike, pasi nuk reflektoi në formularin e dekriminalizimit dënimin që ka pasur në Greqi me tre vite burg në mungesë për veprën ‘Konflikti dhe Përleshja’. Megjithatë, për KQZ dhe Ilirjan Celibashin, kjo nuk përbënte një vepër penale të rëndë, ku në legjislacionin shqiptar dënohet maksimumi me gjobë, ndaj kryebashkiaku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.

Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.