OPINION – “Mea culpa” e vonuar dhe e pavlefshme e dele- opozitës ose “opozitës së re” për Reformën Zgjedhore…

Rudina Hajdari sot ka bllokuar foltoren e Kuvendit, duke pamundësuar zhvillimin e seancës plenare ku diskutohej për Reformën Zgjedhore. Deputetja e dalë nga listat e PD- së në 2017- ën, por sot pjesë e “opozitës së re” dhe në vigjilje të krijimit të një force tjetër politike, ka dashur të pengojë miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.


Hajdari, siç edhe një pjesë e “opozitës së re”, janë publikisht kundër ndryshimeve të propozuara nga PS- ja për “listat e hapura”. Në fakt, nuk janë as lista të hapura e as të mbyllura por të ngurtësuara nga firma e kryetarit të partisë respektive.

Para Hajdarit, nga foltorja apo edhe nga ulëset e sallës së seancave plenare, shumë deputetë të “opozitës së re”, kanë bërë një “mea culpa” publike për bashkëpunimin me Edi Ramën për ndryshimet kushtetuese, në Këshillin Politik, në komisionet parlamentare etj.

Sot, pas më shumë se një viti e gjysmë që Opozita e Bashkuar dorëzoi në bllok mandatet si mundësi e fundit për të sensibilizuar opinionin publik, vendae e të huaj, aleatët strategjikë të këtij vendi, ata që nuk pranuan t’i dorëzojnë në “emër të vlerave të Republikës e parlamentarizimit”, e kanë kuptuar se thjesht e vetëm u bënë fasadë e Edi Ramës.

Që kjo “opozitë e re” do të dështonte në të gjitha iniciativat e saj, pakkush kishte dyshime. Edhe që nga rradhët e saj, lehtësisht mund të bliheshin kartona të pensionistëve fatlumë që morën një rrogë 2500 euro për dy vite gjysmë e do të marrin edhe dy vite pencion mbi 600 euro, nuk përbënte ndonjë surprizë. Por që një “opozitë e re” të ishte dele, në konotacionin më negativ me kafshën e dobishme për njeriun, kjo ishte e vështirë të besoj.

Mbështet ShkodraWeb Media

“Opozita e re” dështoi në “misionin” e saj për lista të hapura. Ky grupim amorf pa bindje politike e pa përkatësi me asnjë parti politike, dështoi në realizimin e “ëndrrës” së 80% të shqiptarëve për lista të hapura.

Këta individë që u unifikuan njësh me mazhorancën, përmes këtyre ndryshimeve edhe me votat e disa prej tyre, po nxjerrin veten njëherë e mirë nga politika, pçor me një njollë të madhe. Në mos njollë turpi, njollë përdorimi nga një mazhorancë, që përveç se dele, në fund të realizimit të misioneve të saj politike, i tregoi edhe budallenj në sytë e shqiptarëve.

“Shqiptarët nuk janë dele”, e kanë përsëritur me qindra herë nga foltorja, tryezat e komisioneve apo studiove televizive mjaft eksponentë të “opozitës së re”. Në fakt, delet ishin pikërisht ata vetë. Dele që vetëm blegërijnë dhe votojnë ashtu siç ua kërkon “çobani” i tyre Edi Rama.

Nuk është e qartë se si mund të pengohet Edi Rama në realizimin e qëllimit të tij final për të marrë një bonus domethënës për 25 prillin, 9 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve. Një gjë është e sigurte: Këtë nuk mund ta bëjë “opozita e re”, e cila u përdor në mënyrën më të keqe të mundshme, edhe pse sot bën “mea culpa”, një pranim faji i vonuar dhe i pavlefshëm. Por pavarësisht kësaj, kjo “opozitë e re” ka fituar një vend në historinë e parlamentarizmit të këtij vendi, si dele- opozita e kryeministrit Edi Rama. /Shënim i ShkodraWeb Media/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing