“Më vjen keq që edhe disa këshilltarë janë fokusuar tek Akademia”, Qashif Hoxha komenton mbledhjen e Asamblesë së Vllaznisë

Përgjegjësi i akademisë Vllaznia, Qashif Hoxha, ka dalë kundër deklarimeve të administratorit Suad Lici gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të premten e kaluar. Në një dalje për mediat, Hoxha u shpreh se faji i hedhur ndër vite tek akademia e Vllaznisë është i pajustifikueshëm.

“Nuk më vjen mirë që temë e kësaj mbledhjeje është bërë akademia si pikë e vëmendjes. Kjo, për faktin se askush nuk mund të mbulojë keqadministrimin disavjeçar të klubit Vllaznia, duke hedhur fajin tek akademia. Nëse ka një institucion që kjo bashki mund të krenohet, është pikërisht akademia me gjithë ato trofe të fituara çdo vit. Kur Vllaznia është e përpëlitur dhe ka rënë edhe një kategori më poshtë, akademia ka mbushur muzeun me kupa.


Akademia nuk ka drejtor, ka vetëm përgjegjës administrativ dhe përgjegjës teknik. Përgjegjësi nuk ka asnjë detyrë ekzekutive. Merret me anën organizative dhe mundohet të mbledhë 100 për qind paratë nga prindërit. Veprimi i parë që kam bërë që në vitin 2013, është që pagesa për stërvitjen të kryhet në bankë për Vllaznia sh.a.. Në zyrën e financës dërgojmë listë-pagesat dhe mandatet, të firmosura nga unë dhe nga trajnerët. Dokumentacioni është aty dhe mund të shikohet”, ka thënë fillimisht Hoxha, për të sqaruar më pas edhe pretendimet për fryrje të strukturës së akademisë me trajnerët.

“Në lidhje me pretendimet se akademia është e fryrë, po ju them se janë 13 trajnerë për 9 skuadra, një përgjegjës administrativ dhe një përgjegjës teknik. Nuk e di ku është fryrja këtu. Edhe mund të ketë shkurtime, por kemi tri ekipe në nivelin e Superiores. Ekipet nga U-9 në U-11 stërviten me një trajner. Më vjen keq që edhe disa këshilltarë janë fokusuar tek akademia. Sa i përket çështje së uniformave, flas me përgjegjësi të plotë, që akademia e futbollit Vllaznia ka marrë investime minimale, për të mos thënë asnjë për bazën materiale, ku futen kostumet sportive, topat e të tjera.

Gjatë këtyre 6 viteve mund të kenë marrë dy herë kostume sportive për ndeshjet. Pa diskutim që kanë paguar prindërit për uniformat. Prej tri vitesh FSHF na furnizon me topa. Trajnerët që prej dhjetorit nuk janë paguar. Nuk kemi bërë zhurmë, ndërsa pagat tona janë 300 mijë deri në 500 mijë lekë të vjetër”. /Nga Armir URUÇI, PanoramA/

Copyright © ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media

ShkodraWeb Media