Detaje të reja janë zbardhur në lidhje ne ekzekutimin e biznesmenit Rakip Roli me 10 dhjetor në fshatin Sanxhak të Kurbinit. Sipas burimeve shkak i sherrit mes djemve të viktimës dhe autorit të ngjarjes Llej Lika është bërë një vajzë.
Referuar dëshmisë së 22-vjeçarit, konflikti mes tyre ka nisur që në muajin korrik e më pas ka agravuar derisa biznesmeni Rakip Roli dhe djemtë e tij e kane dhunuar barbarisht të riun në një lokal me qendër të fshatit.
Këto veprime nuk janë pranuar nga Llej Lika i cili për të vendosur dinjitetin në vend, në shenjë hakmarrje ka thurur planin dhe ekzekutuar 55-vjeçarin Rakip Roli. Biznesmeni i materialeve të ndërtimit i njohur ndryshe dhe me emrin Piloti u ekzekutua me breshëri plumbash teksa po lëvizte me automjetin e tij luksoz Audi Q7 në rrugën e vjetër Laç-Mamurras, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.
24 orë pas ngjarjes policia prangosi tre autoret e dyshuar të krimit dhe ndaj tyre Gjykata ka caktuar arrest në burg për babë e bir Llej e Skënder Lika dhe shokun e tyre Klajdi Gjegjajn. Ndaj tyre, rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.