“Me dy- tre përforcime vitin qe vjen, synojmë kampionatin…”, drejtori sportiv Engin Firat “radiografi” Vllaznisë deri tani…

Engin Firat, drejtori sportiv i Klubit të Futbollit Vllaznia ka folur për mediat turke. Në një intervistë që ka patur një jehonë të gjërë engibnë shtypin e atjeshëm, Firat flet për vështirësitë e nisjes së sezonit jo siç e dëshironte. Por me kalimin e javëve, ekipi u shfaq suksesshëm dhe Firat është një nga figurat kryesore të këtij suksesi.

Drejtori Firat e pranon se fillimi i sezonit nuk ishte i mirë. Për shkak të fushatës elektorale, nuk ishim në gjendje të bënim transferime të lojtarëve deri një muaj para fillimit të Superligës, thotë ai. Kishte një kaos politik në qytetin e Shkodrës për shkak të zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Ishin shumë ata që u përpoqën ta shfrytëzonin këtë situatë për interesat e tyre. Është në të vërtetë e pamundur që të krijohet një ekip i ri dhe të përgatitet për Superligë në katër javë. Firat falënderon publikisht Voltana Ademin, kryebashkiake e Shkodrës duke thënë se ishte e vetmja mbështetje në këtë proces. Do të doja të falënderoja disa biznesmenë për përkrahjen e tyre, por fatkeqësisht ata na lanë vetëm, thotë Firat.

Duke folur për sezonin që ka filluar, drejtori sportiv i Vllaznisë thotë se është formuar një ekip plotësisht i ri, kanë mbërritur 14 lojtarë të rinj. Janë hedhur themele të forta, vijon Firat, i cili thotë se këtë vit Vllaznia kërkon të luajë një futboll të mirë e të bukur. Ne synojmë kampionatin, duke bërë edhe 2-3 përforcime për ekipin vitin e ardhshëm.

Në intervistën e tij, Firat flet edhe për Shkodrën. Nuk kam patur asnjë problem, thotë ai. Është një vend afër kulturës turke. Për fat të keq, ka edhe zakone të këqija si në Turqi pasi ka mjaft nga ata që duan të përziejnë klubin me thashetheme. Qyteti është nj vend shumë i bukur e historik. Është një vend, ku turqit kanë lënë gjurmë. Mua më thërrasin “turk” dhe jo në emër, Firat.

Intervista për mediat turke e Firat, nuk mund të përfundojë pa një opinion për ndeshjen Turqi- Shqipëri. Ndeshje shumë e vështirë, thotë menjëherë drejtori sportiv i Vllaznisë. Një nga ndeshjet vendimtare të grupit. Mundësia e fundit e Shqipërisë. Mendoj se me 99% kualifikohet Turqia. Shqipëria gjithashtu ka një ekip të fortë. Aata e treguan në ndeshjen e tyre të fundit me Islandën. Unë mendoj se do të jetë një “luftë” e fortë. Turqia favorite, por një takim i vështirë. Ai që do të jetë më i qëndrueshëm dhe vendos zemrën në fushë, do të ketë përparësinë.