“Me atletet e kuqe kam fituar 4 kupa, i kam shans”, Teuta e tij ngjitet në krye pasi mundi Kukësin, flet Edi Martini

Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli pas triumfin 2-3, që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Kukësit. Në prononcimin për “Gol pas Goli”, tekniku shkodran foli për këtë sukses, teksa u shpreh:

TRIUMFI 2-3– Për ju është ndeshje e bukur sepse shikoni gola, por për ne nuk është ndeshje e bukur, ne sot vuajtëm, dua të komplimentoj Kukësin. Mungesa e Ivanoviç, ka problemet e veta. Aleksi nuk mund të luaj 2-3 ndeshje si qendërmbrojtësa. Gjë e mirë është që shënojmë gola dhe e kthejmë rezultatin, pjesë e karakterit të rezultatit. Ishim të fortë edhe pa fituar me Kukësin. Kjo fitore na jep pikë më tepër, qetësi dhe siguri.


ZËVENDËSESI I IVANOVIÇIT- Kthimi i tij do të jetë mjaft i rëndësishëm. Kemi një lojtar me shumë prespektivë si Jazexhi, por e vështirë ta aktivizosh në ndeshje të tilla. Preferoj të kthej Aleksin. Është ndeshja e fundit e tij në atë vend. Ivan do të kthehet me patjetër ndeshjen tjetër.

NERVOZIZMI I ALEKSIT- Është natyra e tij, edhe në stërvitje me shokët në dyluftime, lodhemi duke i folur, por temperamenti i tij e bën të jetë efikasës. Duhet të qetësohet akoma më tepër. Është një problem që e kemi ngritur, por nuk po mundemi ta rregullojmë tamam.

MALLKIMET DHE FALENDERIMET PËR VAR-in: Po mësohemi gradualisht, kam filluar ta mbaj emocionin. Edhe në Shkodër edhe me Partizanin, janë dhënë gjykime të tilla, kur i kam parë jam bindur. Është në ndihmë të futbollit. Është bërë mirë që u vendos.

ATLETET E KUQE- Me këto atletet e kuqe kam fituar 4 kupa, shpresoj që të fitoj edhe të 5-tin e pastaj të shikoj nëse do t’i heq apo jo.

XHEKSONI- Është një lojtar që ka momente sigurie të tepruara, por është një lojtar që jeton me lojën. Nga besimi i tepër që ka edhe gabon. Vitin e shkuar s’na ka bërë asnjë gabim. Po nuk bërë gabim, nuk do të shikojmë gola. Me kualitetin që ka, është një nga mbrojtësit më të mirë që ka Shqipëria”, u shpreh Martini.