Mbushet një vit pa Rrik Çefën, me 20 gusht 2020 humbi betejën me Covid- 19 në një spital në Tiranë…

Ditën e sotme mbushet një vit kur Shkodra mori një lajm të trishtë, sidomos për dashamirët e artit dhe kulturës. Me 20 gusht 2020, ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare Enrik Çefa, që të gjithë në Shkodër e përtej saj e njihnin si Rrik Çefa. Mësuesi i muzikës i dhjetra e dhjetra brezave, njeriu virtuoz dhe me humor, gazi e hereja e shoqërisë, humbi betejën me Covid-19.

Rriku ishte shtruar në një nga spitalet Covid në Tiranë, ku 24 orët e fundit të jetës kishte kaluar në intubim. Ai kishte një kontribut shumë të vlefshëm në jetën artistike të Shkodrës, pjesëmarrës në dhjetra e dhjetra shfaqje. Angazhimi i tij ishte i spikatur edhe në disa festivale fëmijësh dhe të rriturisht në Shkodër, duke qenë përherë shumë aktiv në jetën publike e artistike të qytetit.


Ikja e beftë e Rrik Çefës ngjalli e dhimbje tek të gjithë ata që e kanë njohur. Ndër të parët që ka shprehur dhimbjen për këtë humbje një vit më parë, ishte Mjeshtri i Madh Sandër Ruçi, i cili e bëri pjesë të recitaleve të tij sa herë që i organizonte në vendlindje.

Për humbjen e Rrik Çefës kanë shprehur fjalë zemre edhe kompozitori Gjon Shllaku, këngëtarja Rosela Gjylbegu dhe shumë e shumë personalitete të artit dhe jo vetëm.

Edhe kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi i ka dedikuar një vit më parë një publikim në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke sjellë në vemendje figurën shumëplanëshe të Enrik Çefës. Pushofsh në paqe Rrik Çefa, prej një viti i mungon shumëkujt, sidomos Shkodrës tande! /ShkodraWeb/