
Vendosja e statujës së mbretëreshës Teutë në territorin e Bashkisë Lezhë, ngjalli diskutime të shumta në rrjetet sociale. Sidomos nga Shkodra, reagimet thonin që kjo statujë, duhej të vendosej në Shkodër, meqë Teuta ishte bashkëshorte e mbretit Agron, i cili klishte si qendër Shkodrën. Duket se për mbylljen e këtyre komenteve, kanë menduar kryebashkiakët e Lezhës dhe të Shkodrës, Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, përmes publikimeve në rrjetet sociale.
Fillimisht, ka reaguar kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili shkrunte: Shkodra apo Lezha?! Lezha apo Shkodra?! Nje furtune ne gote per nje statuje te mbretereshes Teute qe do vendoset te ballkoni panoramik ne rrugen Shengjin Velipoje! Nuk ja morem, as nuk ja hodhem as nuk ja fshehem askujt! Por rame dakord bashke me Benet Becin qe te vendoset aty, si sherbim qe ju behet njekohesisht dy qyteteve! Eshte i vetmi vend ku shikohet qe nga Ulqini e deri ne Durres! Faleminderit Benet Beci per mirekuptimin dhe dashamiresine ne zgjidhjen e perbashket! Tam tamet e portaleve dhe gjuheleheseve nuk na ngaterrojne dot, perkundrazi na forcojne ne harmoni veprimi te pa pare ndonjehere!
Rreth dy orë pas Ndreut, ka reguar në rrjetet e sij sociale dhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci:Ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të shtuar, përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë. Ky nuk është një vendim territorial, por një zgjedhje që sheh përtej kufijve administrativë, duke lartësuar vetë figurën e Mbretëreshës dhe historinë që ajo përfaqëson. Pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë: nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon. Falënderim për artistin Julian Muçollari, që e krijoi këtë vepër, dhe për gazetarin Marin Mema, i cili, si drejtues i fondacionit “Shqipëria tjetër”, e bëri të mundur realizimin e saj. Një falënderim i veçantë edhe për Pjerin Ndreu, kryetarin e Bashkisë Lezhë, me të cilin ky vendim u nda dhe u dakordësua në mirëkuptim të plotë. Falënderim edhe për qytetarët që reagojnë dhe ndihen të lidhur me historinë dhe simbolet tona. Vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtojmë më shumë vlerë për trashëgiminë dhe për vendin tonë.
Me pak fjalë, dy kryebashkiakët kanë dashur të tregojnë se Mbretëresha Teutë nuk është vendosur as në Lezhë, as në Shkodër por diku në mes, edhe pse ballkoni panoramik është pjesë e territorit të Bashkisë Lezhë, përveçse, nëse do të shpallet “tokë neutrale”, siç ndodh zakonisht mes dy shteteve në pikat e kalimit kufitar.




