Po ti numërosh tradhtarët që kanë nxjerrë shqiptarët, janë akoma më shumë se të vrarët për atdhe! Po pra të vrarët për komb, liri, pavarësi etj., etj. Në gjullurdinë filozofike që na karakterizon që nga mesjeta, pothuaj janë më shumë “tradhtarë” se sa njerëz atdhetarë! Mund ti rreshtojmë që në atë kohë në fakt! Brenda një misioni, brenda një ideali, brenda një fisi dhe brenda një familjeje! Ishte Kastrioti, por ishte dhe nipi i tij po Kastriot dhe Moisi Golemi etj., etj! Në fakt e kemi të mbushur historinë tonë gati më shumë me tradhtarë se me atdhetarë! Gjatë kohës së pavarësimit tonë, një nga figurat më të mëdha konsiderohet një nga tradhtarët më të mëdhenj si Esad Pasha! E pra ishte njeriu që mblidhte më shumë ushtri dhe kishte më shumë para dhe pushtet! Një nga figurat “tradhtare par exelance” e shqiptarëve! I kudondodhur që nga 1908 me Kongresin e Manastirit, historia e rrethimit të Shkodrës, dorëzimit të saj të malazezët, shtetit të Vidit dhe deri në 1920-tën! Pastaj figura të shumta bashkë, të krijimit të shtetit shqiptar që “gjysma ishin atdhetarë dhe gjysma tradhtarë” me njëri tjetrin në kohë pushteti! Viti 1924-tër po ashtu!
E gjithë Monarkia dhe pastaj “Lufta e Dytë Botërore” ose pushtimi fashist italian dhe ai gjerman! Në njërën anë “tradhtarë dhe në tjetrën atdhetarë” respektivisht sipas ndarjes së shqiptarëve me njëri tjetrin! Në grindje dhe përplasje të ashpër deri me armë me njëri tjetrin! Në një gati luftë civile të pa shpallur zyrtarisht, pro zbatuar fizikisht! Politikisht dhe filozofikisht me ashpërsi me njëri tjetrin si një “domosdoshmëri historike” e një vendi që prodhon në çdo situatë dhe kohë, gati më shumë tradhtarë se sa atdhetarë! Diktatura pastaj nxori “tradhtarë” si nga krahu tjetër i parimit të luftës së klasave dhe në gjirin e vet, brenda ideologjisë, duke burgosur internuar dhe vrarë vetëm – tradhtarë! Pra shqiptarët edhe ideologjikisht dhe politikisht shpalleshin dhe rishpalleshin tradhtarë! Sot vazhdojmë të ndahemi me “tradhtarë dhe patriotë” politikisht dhe kombëtarisht! Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë! Idea kundër apo idea jote, është – tradhtare! Idea ime dhe e miqve të mi pro meje, është – atdhetare! Kaq di shqiptari! Pothuaj jo më tepër se sa kaq! Në fakt ” e duan atdheun të gjithë”?!
Kaq shumë “e duan”, sa ikin përditë si nga Shqipëria dhe Kosova, dhe shpallin përditë tradhtarë! Sigurisht që e them me ironi dhe sarkazëm, por një shoqëri që nuk ka mbaruar së prodhuari filozofikisht tradhtarë: është e destinuar të humbasë jo vetëm trenin e Europës, por dhe demokracinë në zbatim! KM-ja i Shqipërisë për rastin e Presidentit të Kosovës, thotë se ai që i thotë tradhtar është një gomar! Në të vërtetë ka të drejtë, por ka një problem të madh me referencën te kafsha e jashtëzakonshme e cila është padrejtësisht etalon mase e injorancës dhe kokëfortësisë njëkohësisht! Në stilin e tyre të “organizimit” gomarët nuk kanë tradhtarë dhe as atdhetarë në fakt! Kanë një gjë, se nuk kanë shansin të shkojnë në shkollë si njeriu për të kuptuar dhe “pse i duhet një vendi sasia impresionante e tradhtarëve”?! Gomari në fund të fundit, ka kualitetin e vet jetësor dhe ai është i persekutuari i madh i shoqërive akoma folklorike si kjo jona! Në Europën ku ne pretendojmë të shkojmë “gomarin e kanë të mbrojtur me ligje” dhe askush nuk guxon ta ngarkojë apo ta përdori për punë dhe ka dhe vende, që po shave në televizion “gomar” të bëjnë një kritikë dhe diku-diku të vendosin edhe gjobë!
Për efektin e rënies në qafë – gomarit! Mirëpo në raport me shqiptarin akoma si referencë kjo shoqëri ka gomarin! Nuk mund të shkojmë menjëherë filozofikuisht dhe moralisht në Gjermani, por unë e përmenda si fakt europian! E sigurisht që duke qenë shumë europian edhe unë, së pari me vjen keq për gomarin dhe turp për shqiptarin që akoma nuk ka respekt si Europa për gomarin! E kam fjalën në trajtimin e tij fizik dhe etiko-moral mbi figurën e ngritur gabimisht për të! Po gabimisht, sepse veset e njeriut i bëjnë si ” të importuara nga gomari” me të cilën raca njerëzore, në fakt nuk ka lidhje! Sjellja e gomarit është një raport i asaj race dhe specie dhe nuk mund të jetë kurrsesi një diçka që në përdorim tonin si ngarkesë dhe punë, pikërisht gomari na e demostron! Jemi ne në faj dhe akuzojmë gomarin! Besoj se po kuptohemi! Por në fakt unë e kam në shpikjen dhe jetën tonë të mbushur me – tradhtarë! E dini pse!?
Sepse me tradhtarë pastaj ne akoma nënkuptojmë një njeri që duhet në mos vrarë, burgosur dhe linçuar! Pikërisht gjëra që nuk ndodhin në familjen e madhe të gomarëve apo specien e tij të nderuar në botë! Gomarët as nuk burgosin, as nuk vrasin, ato vetëm pëllasin dhe nganjëherë nuk duan të ngarkohen edhe kur ne ju biem me kamzhik! Dakord – të tilla gjëra nuk i bëjnë gomarët, pra që të marrin vendim për pushkatim, se një gjykatë, apo një ligj, apo dhe një shoqëri merr vendim se “ky apo ai është tradhtar”?! Kurse shqiptari ka bërë shumë kundra shqiptarit! Shumë më tepër se sa kombe të tjerë edhe të mëdhenj! Duke qenë fare të vegjël, kemi prodhuar tradhtarë dhe të burgosur e vrarë, për këtë cilësi më shumë se sa Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja, të marra sëbashku! Po po, për frymë të popullsisë! Duket për të qeshur, por nuk është kështu! Aspak për të qeshur, por vetëm një tragjizëm që tenton të ndodhë edhe në ditët e sotme!
Sidomos në kohët e sotme është një turp i madh ky “tradhëtarizim” filozofikisht mesjetar dhe folklorizëm i turpshëm shqiptar! Si Shqipërisë dhe Kosovës, nuk i duhet më “prodhimi i tradhtarëve” mediatikisht dhe politikisht! Nuk vlen më! Mjaft, se e kemi tepruar shumë deri tani! Nuk bashkohet Shqipëria me Kosovën, duke prodhuar tradhtarë! Një shtet i madh, por dhe një bashkim politik i mundshëm nesër qoftë dhe në gjirin e BE-së, bëhet jo me marrëzi historike plot me tradhtarë! Një komb që prodhon edhe në shekullin e 21 tradhtarë, tregon se nuk ka dalë nga shekulli i 19-të! Për më tepër, politika duhet të shpërlahet nga “tradhtitë” dhe marrëzitë me tradhti! Tradhtar është (mund) vetëm ai, që e kap kushtetuta nëqoftëse ka një nen të tillë! Të tjerat janë pastaj histori me tradhtarë, gomarë dhe shqiptarë! /Nga Besi BEKTESHI/