Mbeten pas hekura 12 “fajdexhinjtë” e kapur në Shkodër, publikohen shifrat: Flitet për 13 mln euro dhe vetëm për..

Ka përfunduar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, ndërsa ka patur një jehonë të madhe mediatike seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për grupin e të ashtëquajturve “fajdexhinj” i kapur para dy ditëve në Shkodër. Mësohet se të gjithë janë lënë në qeli, të 12 personat e kapur për dhënie parash me fajde.

Nën masa të forta sigurie, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë për personat e kapur nga aksioni “Maranaj”. Të dyshuar për dhënie huaje në mënyrë të paligjshme, asnjë prej tyre nuk u lirua në një seancë maratonë, që zgjati për afro 9 orë.

Kështu, në qeli u lanë: Byrhan Alija, 61 vjeç, Edi Memçaj 33 vjeç, Adri Bala 22 vjeç, Artan Dragani, ish-kancelar në Gjykatën e Shkodrës 39 vjeç, Marjan Bregu 31 vjeç, Vinko Nikprelaj, 37 vjeç, Eduart Fusha 38 vjeç, Elidon Qerimaj 41 vjeç, Pashko Vuksanelaj, 54 vjeç, Lul Sylja 48 vjeç, Naim Ahmetaj, 52 vjeç dhe Ilir Sokol,i 38 vjeç, ish-kreu i Drejtorisë së Patentave në Shkodër. Në hetim, në gjendje të lirë janë një notere dhe një punonjës policie.

Menjëherë pas rikonfirmimit të vendimit të mëparshëm që Gjykata kishte marrë në mungesë për 12 personat, familjarët e tyre nuk u pajtuan me këtë vendim, duke protestuar përpara Gjykatës. Ata kundërshtuan me forcë vendimin, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm për të afërmit e tyre.

Gjatë gjithë ditës, familjarët qëndruan përpara godinës së Gjykatës, duke pritur lirimin e të arrestuarve. Vendimi i Shkallës së Parë për t’i lënë në “arrest me burg” acaroi pjesën më të madhe të tyre, të cilët e kundërshtuan. Kjo seancë maratonë u zhvillua me dyer të mbyllura, duke mos lejuar as familjarët që të futen brenda dhe as mediat. Një skandal ky, që vijon të përsëritet në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër, ku askush nuk lejohet në seanca gjyqesh dhe gjithçka vendoset pas dyerve të mbyllura. Kjo seancë 9-orëshe është ndërprerë disa herë.

Fillimisht, ka pasur një ndërprerje për shkak se avokatët mbrojtës nuk ishin njohur me aktet. Pas rreth një orë, seanca rinisi teksa të 12 të arrestuarit kanë qenë së bashku në këtë rivlerësim mase sigurie. Pjesa më e madhe e personave të arrestuar, por edhe avokatët mbrojtës të tyre, kanë deklaruar në sallën e gjyqit se ata kanë i kanë dhënë para hua me përqindje ose me fajde djemve të ish-prefektit Paulin Radovani, por ia kanë dhënë për t’i ndihmuar për shkak të marrëdhënieve shoqërore, miqësore dhe ka prej atyre që kanë pasur marrëdhënie edhe familjare.

Të arrestuarit kanë deklaruar se kanë qenë vetë djemtë e ish-prefektit që i kanë kërkuar para, duke i thënë se do t’ia kthenin sërish mbrapsht nisur nga biznesi që kishin. Sipas të arrestuarve, ish-prefekti ka regjistruar bisedat telefonike dhe ambientale te fabrika e tij vetëm me këta persona, që më pas janë arrestuar dhe jo me të tjerë, që po ashtu djemtë e Radovanit u kanë borxhe apo fajde. Asnjë prej të arrestuarve nuk kanë pranuar se e kanë kërcënuar ish-prefektin Radovani apo djemtë e tij, por janë shprehur se vetëm i kanë ndihmuar brenda mundësive që kanë pasur, madje disa kanë pretenduar se kanë menduar të shesin shtëpinë apo pronat për t’i ardhur në ndihmë. Tashmë, pas vendimit “Arrest me burg” për 12 të arrestuarit pritet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkodër.

Familja Radovani dyshohet për një borxh që shkon 13 milionë euro. Djemtë e ish-prefektit Radovani dhe vetë ish-prefekti dyshohet se në total kanë borxh një shumë të konsiderueshme, gjë e cila solli dhe rrënimin e biznesit të tyre në fasoneri. Kjo shumë marramendëse parash është siguruar, duke i marrë borxh te persona të ndryshëm, biznesmenë, por edhe të tjerë që kanë potenciale ekonomike të mëdha. Duke shfrytëzuar njohuritë, marrëdhëniet shoqërore apo reputacionin që kanë pasur si familje, kanë shkuar në vende të ndryshme duke kërkuar para borxh, shumë e cila mendohet se shkon në 13 milionë euro në total. Të paktën 10 milionë euro mendohet se nuk janë shlyer ende nga djemtë dhe ish-prefekti Radovani, duke sjellë edhe këtë situatë të fundit të përgjimeve.

Hetimet për zbulimin e grupit të fajdexhinjve në Shkodër kanë nisur në janar pas denoncimit të bërë nga ishprefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani. Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij, derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar. Dy djemtë e tij, njëri prej të cilëve anëtar në Këshillin aktual të Bashkisë Shkodër, Elton Radovani, si shkak i vesit të kumarit, nisën duke marrë hua shuma të mëdha parash te persona të ndryshëm në Shkodër, të cilët ia lëshonin me një përqindje që varionte nga 3-20%, siç bën të ditur Prokuroria e Shkodrës.

Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij për kthimin e parave. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë, duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që t’i bënin edhe presione. Në një moment, ishprefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa mësohet se ka dy urdhra mbrojtjeje nga Gjykata, pikërisht për shkak të këtyre problemeve. Dy djemtë e ish-prefektit kohët e fundit janë arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë, ndërsa vetë ish-prefekti mësohet se ndodhet ende në Shkodër. /Burimi: PanoramA/

ARREST ME BURG

Byrhan Alija, 61 vjeç, nga Shkodra

Edi Memçaj, 33 vjeç, nga Shkodra

Adri Bala, 22 vjeç nga Shkodra

Artan Dragani, 39 vjeç nga Shkodra, ish-kancelar në

Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër

Marjan Bregu, 31 vjeç, nga Shkodra

Vinko Nikprelaj, 37 vjeç, lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër

Eduard Fusha, 38 vjeç, nga Shkodra

Elidon Qerimaj, 41 vjeç, nga Shkodra

Pashko Vuksanelaj, 54 vjeç, nga Shkodra

Lul Sylja, 48 vjeç, nga Shkodra

Naim Ahmetaj, 52 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë

Ilir Sokoli, ish-drejtor i Patentave në Shkodër

Loading...