Presidenti Ilir Meta ka takuar sot raporteren e Parlamentit Europian, Isabel Santos. Kreu i Shtetit e bën publik lajmin nëpërmjet një postimi në facebook, ku nuk le pa sulmuar edhe maxhorancën. Sipas Presidentit, qëllimi i maxhorancës është kapja e Gjykatës Kushtetuese dhe “rikthimi i diktaturës përmes ‘mjeteve ligjore’”.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të takohesha me raporteren e Parlamentit Europian, znj. Isabel Santos. Mirënjohës për ndihmën që institucionet europiane dhe vendet anëtare dhanë në ndihmë të popullit shqiptar.
Lakmia e mazhorancës për të kapur me çdo mjet antikushtetues Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin e këtij institucioni kyç për llogaridhënien qeverisëse dhe kompromenton rëndë vullnetin e kësaj mazhorance për të çelur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Miratimi i ligjit antikushtetues ditën e mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias dëshmon mungesën e thellë të respektit ndaj këtij institucioni ndërkombëtar, dhe fakton se qëllimi i vetëm i kësaj mazhorance është rikthimi i diktaturës përmes “mjeteve ligjore”.